ATK joefektive në kryerjen e punëve, gati 40 mijë biznese funksionojnë pa arka fiskale

Lajme

ATK joefektive në kryerjen e punëve, gati 40 mijë biznese funksionojnë pa arka fiskale

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për Administratën Tatimore të Kosovës.

Ndër të gjeturat, Auditori ka dhënë vërejtje për numrin e kontrolleve të planifikuara për realizim, shkruan lajmi.net.

Sipas Auditorit, ATK-ja nuk e ka realizuar planin e saj për realizimin e këtyre kontrolleve.

“ATK në Planin e punës për vitin 2018, kishte përcaktuar numrin e kontrolleve që synonte t’i realizonte. Hapja e rasteve të kontrollit duhet të bëhet në ato lloje të tatimeve dhe periudhave tatimore për të cilat vlerësohet se kanë shkallë të lartë të rrezikshmërisë, duke iu referuar analizës së rrezikut. Sipas planit, 75% e kontrolleve për vitin 2018 duhej të bëheshin bazuar në analizën e riskut. Nga 2,087 kontrollet e planifikuara për vitin 2018, ishin realizuar vetëm 1,714 prej tyre, apo 82% e planit”, thuhet në të gjeturën e Auditorit.

Ngecje në realizmin e planit kanë shënuar kryesisht regjionet, Prishtina 3, Prishtina 1, Prishtina 2 dhe Ferizaj.

Më tej, nga gjithsej 1 mijë e 714 kontrolle të kryera, 994 raste të kontrolleve janë kryer me propozim nga zyra qendrore, analiza e riskut.

Ndërsa, sipas planit, do të duhej të kryheshin rreth 1,285 kontrolle të propozuara nga zyra qendrore.

Mosrealizimi i planit të kontrolleve kishte ndodhur si rezultat i angazhimit të inspektorëve në aktivitete të tjera sipas kërkesës së menaxhmentit, kërkesave nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Standardeve Profesionale.

Ndërsa, mos përmbushja e kontrolleve bazuar ne analizën e riskut, ka ndodhur për shkak se drejtoritë rajonale dhe drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj kanë konsideruar jo të kënaqshme rezultatet që dalin nga kjo analizë shikuar nga aspekti i rrezikut.

Sipas Auditorit rreziku për mosrealizmin e kontrolleve sipas planit dhe kritereve të përcaktuara mund të rezultojë në mos hapjen e rasteve për kontroll të bizneseve të identifikuara me rrezikshmëri të lartë, si dhe mos përmbushjen e detyrimeve tatimore, me efekt përfundimtar në reduktimin e të hyrave për BRK-në.

Ngecje në procesin e fiskalizimit.

Udhëzimi administrativ nr.02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, neni 4, përcakton se të gjithë tatimpaguesit që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë PEF dhe pajiset tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve.

Auditori ka gjetur se ATK-ja ende nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i bizneseve që nuk janë të pajisura me arka fiskale, e që sipas legjislacionit kërkohet të jenë të fiskalizuara.

Sipas të dhënave të ATK-së numri i përgjithshëm i bizneseve që ushtrojnë aktivitete biznesore është gjithsej 63 mijë e 25.

Prej tyre, biznese të fiskalizuara janë 23,271, biznese që nuk janë të fiskalizuara janë 39,754, ndërsa numri i bizneseve të cilat nuk kërkohet të fiskalizohen është 2,321.

Nga kjo i bie që numri i përafërt i bizneseve që duhet të fiskalizohen e që nuk janë fiskalizuar është afërisht 37,433.

Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur për shkak të kufizimeve në burime njerëzore.

Sipas Auditorit, mos identifikimi i saktë i bizneseve dhe mos pajisja e tyre ma arka fiskale, ka si pasojë mungesën e kontrollit mbi të hyrat e bizneseve, shmangien e mundshme tatimore, si dhe rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat