Albin Kurti: Kush do t'i homologojë homologuesit?

Lajme

Albin Kurti: Kush do t'i homologojë homologuesit?

Nga: v.r Më: 28 qershor 2019 Në ora: 09:49
Albin Kurti

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një deklarate publike, ka thënë se ajo që është e nevojshme në Kosovë, është se duhet të bëhet ndarja e qeverisë publike nga – siç shprehet ai – tajkunët privatë, shkruan “Bota sot”.

Sipas tij, tashmë, nuk ka korrupsion në institucione por institucione në korrupsion.

Postimi plotë i Kurtit:

Ashtu sikurse që Glass Steagall Act nga viti 1933 në ShBA i ndante investimet nga bankat komerciale, në Kosovë sot kemi nevojë për ndarjen e qeverisjes publike nga tajkunët privatë. Sepse tashmë nuk kemi vetëm korrupsion në institucione, por edhe institucione në korrupsion.

 

Shteti i korporatës shpie në fashizëm. Këtë e kemi parë në Gjermani e Itali midis dy luftërave botërore. Ish Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, në porosinë që ia dërgon Kongresit të ShBA-ve më 29 prill 1938 thotë: "Liria e demokracisë nuk është e sigurt nëse njerëzit e tolerojnë rritjen e pushtetit deri në pikën ku ai bëhet më i fortë sesa vetë shteti demokratik. Kjo, në esencë, është fashizëm - pronësi e qeverisë nga një individ, nga një grup apo nga cilado fuqi private kontrolluese".

 

John Ralston Saul thekson tri qëllime të lëvizjes korporatiste në vitet e '20-ta të shekullit të kaluar në tri shtete (Gjermani, Itali dhe Francë) të cilat kaluan nëpër fashizëm: 1) të zhvendoset pushteti direkt te grupet ekonomike ose shoqërore të interesit; 2) të shtyhet iniciativa biznesore në fushat që normalisht janë të rezervuara për organet publike; 3) të shlyhen kufijtë ndërmjet interesit publik dhe privat, pra, të sfidohet ideja e interesit publik.

 

Homologuesit duhet t'i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat