GAP: Gjyqësori duhet të përfshihet në procesin e ndarjes buxhetore

Lajme

GAP: Gjyqësori duhet të përfshihet në procesin e ndarjes buxhetore

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 11:28
ilustrim

Instituti GAP ka publikuar raportin “ Nuk ka para për sundim të ligjit: si ndikon procesi buxhetor në pavarsinë e gjyqësorit?”.

Duke analizuar procesin e buxhetimit për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, studimi synon të nxjerr në pah nëse qeveria mund të ndërhyjë në autonominë e tyre përmes mjeteve buxhetore.

Ky raport sipas GAP argumenton se procesi aktual i buxhetimit mund të vë në rrezik pavarësinë dhe efektivitetin e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale.

“Disa nga problemet e identifikuara në procesin e ndarjeve buxhetore përfshijnë mungesën e kohës dhe resurseve profesionale të Kuvendit të Kosovës për të shqyrtuar në hollësi kërkesat buxhetore, si dhe mungesën e të dhënave me kohë dhe të kritereve për ndarjet buxhetore”, thekson Insituti GAP përmes një komunikate për media.

Ky insitutit thekson se mungesa e dëgjimeve të rregullta buxhetore me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial si dhe mungesa e të dhënave të krahasueshme me vendet e tjera janë disa nga arsyet që mund të çojnë në kapacitete të kufizuara buxhetore të këtyre dy institucioneve  për të përmbushur efektivisht misionet e tyre.

Në këtë raport nuk është gjetur ndonjë dëshmi se partitë politike në pushtet qëllimisht kanë dashur të ndërhynin në pavarësinë e sistemit gjyqësor, por as Ministria e Financave, e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë mundur të ofrojnë arsyetime se përse i kanë refuzuar kërkesat buxhetore të KGJK-së dhe KPK-së.

Procesi i buxhetimit për këto dy institucione është analizuar edhe kundrejt rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

Raporti gjithashtu ofron një numër rekomandimesh se si të përmirësohet procesi buxhetor për gjyqësorin.

Siç rekomandohet nga Këshilli i Evropës, përfshirja e KGJKsë dhe KPKsë gjatë ndarjeve buxhetore duhet të jetë e detyrueshme dhe të sigurohet me ligj.

Kuvendi i Kosovës duhet të përdorë pika referuese dhe të sigurojë argumente transparente për publikun kur mbështet ose refuzon kërkesat buxhetore të KGJK-së dhe KPK-së.

Ligji për ndarjet buxhetore duhet të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës të paktën tre muaj përpara fillimit të vitit fiskal, në mënyrë që komisioneve t’u jepet më shumë kohë për vlerësimin e kërkesave buxhetore.

Ky studim është përgatitur si pjesë e Programit të Bursave ENGAGE II së bashku me Centre for European Policy Studies (CEPS) në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat