5 zyrtarët e graduar në Policinë e Kosovës, që janë invalidë të dyshimtë

Lajme

5 zyrtarët e graduar në Policinë e Kosovës, që janë invalidë të dyshimtë

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 07:00
Foto

Lumni Graishta, Veton Elshani, Arsim Berisha, Valdet Bujupi dhe Ramë Bekaj u graduan në detyrë tre muaj më parë, ndonëse secili prej tyre ndodhet nën hetim për përfitim të paligjshëm të statusit të invalidit të luftës.

Insajderi ka siguruar listën e plotë të zyrtarëve policorë që mbajnë në mënyrë të dyshimtë këtë status. Bëhet fjalë për 185 zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët po hetohen nga Prokuroria dhe IPK-ja.

Rreth 100 prej tyre janë diagnostikuar me probleme psikike, disa madje me përmasë mbi 40 % me probleme mendore. Rrjedhimisht, me këtë masë invaliditeti ata nuk mund të shërbenin më në polici, shkruan Insajderi.

Edhe pse i përfshirë në rastin e dyshimtë si invalidë-veteranë, Lumni Graishta është graduar rishtazi dhe është emëruar Drejtor Rajonal i Policisë në Gjakovë.

Ish-zëdhënësi i Policisë Veton Elshani, pjesë e këtij grupi është dërguar zëvendësdrejtor në Pejë. Arsim Berisha, po ashtu pjesë e grupit, është dërguar zëvendësdrejtor në Gjakovë.

Po ashtu, për nga një gradë së paku janë rritur në Polici edhe dy anëtarë tjerë të grupit prej 148 invalidëve-veteranë, Valdet Bujupi e Ramë Beka. Bujupi është graduar si nënkolonel, ndërkaq Beka si kapiten.

Përmes një hetimi që vitin e kaluar e kishte nisur ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, dyshohej se rreth 200 zyrtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë të dyshimtë kishin fituar statusin e invalidit të luftës, me qëllim përfitimin e pensionit invalidor brenda institucionit të Policisë.

Hetimi po vazhdon nga Indpektorati Policor, por këta zyrtarë policorë ende nuk janë suspenduar nga detyra.

Edhe Vesel Veseli ndodhet në listë

Në mesin e zyrtarëve policorë që janë vetë deklaruar si invalidë të luftës, ndodhen punonjës administrativ e eprorë të këtij institucioni.

Në listën të cilën e ka siguruar Insajderi ndodhet edhe Vesel Veseli, polici nga Drenasi që shkaktoi skandalin më të madh të Policisë së Kosovës.

Veseli, i cili mbante postin e zëvendës shefit të hetimeve në Stacionin Policor në Drenas, dyshohet se kishte abuzuar seksualisht me një nxënëse nga Drenasi në vitin 2017.

Siç kishte raportuar Insajderi në shkurt të këtij viti, një nxënëse nën moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj, por në vend të gjetjes së ndihmës, ajo kishte gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, Vesel Veseli, nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të.

Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë. Veseli e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës kishte marrë fund në shkurt të këtij viti kur Vesel Veseli ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Pas tre muajsh në paraburgim, Vesel Veseli u lirua nga paraburgimi në muajin maj. Tash e disa muaj është duke u mbrojtur në liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat