Roli i diplomatit spanjoll në bisedime Kosovë-Serbi, Daçiq i reagon ekspertit gjerman

Lajme

Roli i diplomatit spanjoll në bisedime Kosovë-Serbi, Daçiq i reagon ekspertit gjerman

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 11:46
Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar pas intervistës së ekspertit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, pasi tha se ministri spanjoll, Josep Borell, që pritet të zëvendësojë Mogherinin në krye të diplomacisë së BE-së, do ta ndihmojë Serbinë që ta kuptojë realitetin e Kosovës shtet të pavarur.

Shefi i politikës së jashtme të Serbisë ka thënë se Weber nuk mund t’i jap leksione Serbisë, duke shtuar se bëhet nervoz kur dikush i thotë diçka për të cilën nuk e beson.

“Ai nuk mund të na mbajë neve ligjërata. Më shumë më nervozon hipokrizia kur dikush të thotë diçka në sy e për të cilën nuk beson” , ka thënë Daçiq.

Përveç kësaj Daçiq ka thënë se dikush duhet ta ndihmojë dhe këshillojë Kosovën që ta kuptojë se realiteti është ndryshe.

“Dikush duhet t’i ndihmojë e këshillojë ata (Kosovën) për ta kuptuar që realiteti është ndryshe”, ka shtuar ish-kryeministri i Serbisë teksa ka komentuar intervistën e Weber.

Eksperti gjerman i zhvillimeve dhe politikave që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë më 4 korrik, ka thënë se nuk sheh asgjë të keqe që ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borell, të zëvendësojë Federica Mogherinin, në postin e shefit të politikës së jashtme të BE-së dhe në atë të kryenegociatorit në dialogun mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas ekspertit gjerman, diplomati spanjoll do ta ndihmojë Serbinë ta kuptojë realitetin e Kosovës shtet të pavarur, pasi, sipas tij, njohja e realitetit është e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse që do ta siguronte paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën.

“Jo, nuk mendoj. Vëmendja e publikut kosovar u tërhoq pak vjeshtën e fundit, kur Borell ishte nga të paktët zyrtarë të shteteve anëtare të Evropës që foli publikisht kundër idesë së çmendur për shkëmbime të territoreve. Si një katalonas ai e di shumë mirë se sa të rrezikshme janë ‘zgjidhjet’ etniko-territoriale, dhe se nuk ofrojnë asgjë më shumë se sa zgjidhje të shpejta dhe të rrejshme. Unë shpresoj shumë se ai do ta kuptojë se e vetmja zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale që është vërtet gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, një marrëveshje paqe në esencë, është ajo që duhet të bazohet në realitet, që Kosova është dhe do të vazhdojë të jetë një shtet i pavarur, dhe që pozicioni i tij i ri do të ndihmojë Serbinë për të lëvizur përpara duke pranuar realitetin që është një bazë për paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor, dhe për të gjithë Evropën në tërësi” kishte deklaruar Weber i pyetur se a do të ketë ndikim negativ për Kosovën ardhja e spanjollit Borell në postin e kryenegociatorit.

Analisti gjerman kishte thënë se pavarësisht që Borell vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, ai vetë si personalitet është një njeri me virtyte të larta evropiane, duke kujtuar kështu qëndrimin e Josep Borell kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, e për të cilën Weber thotë se është një ide e ‘çmendur’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat