Zyrtarët e Ministrive përtojnë të angazhohen në komisione, kompensohen kundërligjshëm

Lajme

Zyrtarët e Ministrive përtojnë të angazhohen në komisione, kompensohen kundërligjshëm

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 18:53
ilustrim

Pagesat për kompensimin e stafit për punë shtesë sipas ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë thotë se nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizatë buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, ky punonjës, shërbyes civil ose zyrtar nuk ka të drejtë të pranojë, dhe nuk do të pranojë, kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim.

Sipas këtij përkufizimi, shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.

Mirëpo, dy Ministri kanë kompensuar kundërligjshëm zyrtarët e saj për pjesëmarrje nëpër komisione, ani pse është pjesë e punës së tyre për të cilën marrin pagë të rregullt.

Bëhet fjalë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas gjetjeve të auditorit, këto ministri kanë paguar stafin për angazhim nëpër komisione gjatë orarit të rregullt të punës.

Kështu, sipas auditorit, MKRS-ja kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në komisione të ndryshme gjatë orarit të rregullt të punës.

Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 35,200€ të cilat ishin paguar nga kategoria subvencione dhe transfere, transmeton Indeksonline.

“Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MKRS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla”, thuhet në këtë raport.

Njësoj ka vepruar edhe MPMS. Kjo ministri duke anashkaluar kërkesat ligjore, ka kompensuar zyrtarët e saj për angazhim në komisione gjatë orarit të rregullt të punës.

Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 30 mijë e 13 euro të cilat ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve me aprovim të ZKA-së.

Sikurse, MKRS, edhe menaxhmenti i kësaj ministrie është deklaruar se shkaku i këtyre kompensimeve ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla.

Auditori jep vërejtje se pagesat për kompensimin e stafit për punë shtesë brenda orarit të rregulltë të punës është në kundërshtim me legjislacionin duke rezultuar me pagesa të parregullta dhe njëkohësisht ndikon në dëmtim të buxhetit

Sipas Auditorit duhet të sigurojë se nuk do të ketë asnjë kompensim shtesë për stafin e angazhuar brenda orarit të rregullt të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat