Moska shprehu shqetësimin sot për marrëveshjet e nënshkruara kohët e fundit nga Tirana dhe Prishtina për një politikë të jashtme të përbashkët.
"Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në përputhje me konceptin e Shqipërisë së Madhe, shkaktojnë shqetësim serioz," njoftoi Ministria e Jashtme e Rusisë.
Ministria thekson se SHBA dhe BE kanë zgjedhur të mos reagojnë ndaj hapave të tillë, të cilët sipas kësaj ministrie janë të dëmshme për rajonin.
Ministria e Jashtme ruse shton se ky veprim nga Tirana dhe Prishtina nuk është aksidental.
"Ata kanë bërë deklarata të de-fakto për bashkim që disa vite. Një politikë e tillë e autoriteteve shqiptare dhe kosovare është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pengon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE dhe minon stabilitetin në Ballkan ", përfundon deklarata.