Ish mjeku i UÇK-së godet Kadri Veselin dhe Ramiz Lladrovcin: Hiqni dorë nga doktorimi, pastaj shkojmë e kashagisim kuaj

Lajme

Ish mjeku i UÇK-së godet Kadri Veselin dhe Ramiz Lladrovcin: Hiqni dorë nga doktorimi, pastaj shkojmë e kashagisim kuaj

Nga: N.Sh Më: 10 korrik 2019 Në ora: 12:09
Ramiz Lladrovci dhe Kadri Veseli

Ish mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, po kërkon nga kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe Ramiz Lladrovci që të heqin dorë nga doktorimi, pasi që titujt e tyre vetëm do t’i mbajnë kotë.

Sipas tij, edhe pas doktorimit këta nuk do të mund të arrijnë në nivelin e Edi Ramës dhe Albin Kurtit, edhe pse këta dy politikanët e fundit nuk kanë dokturaturë.

Andaj, sipas tij, pas doktorimit mijëra gishtërinj do të drejtohen nga Veseli e Lladrovci dhe duke u thënë “ja doktorët e rremë”.

Madje Loshi paska me shaka iu premton se po të heqin dorë nga doktorimi, kur të vjen për pushime në Kosovë do të dalin të pinë kafe dhe të shkojnë të kashagisin kuaj së bashku.

Lexojeni shkrimin e plotë:

I kisha lutur publikisht Kadri Veselin dhe Ramiz Lladrovcin të heqin dorë nga procesi i doktorimit, nëse duan të mos hyjnë në historinë bashkëkohore të shtetit që kanë kontribuar ta çlirojnë e ndërtojnë, si dy mashtrues ordinerë. Nuk ka njeri në botë që i dëgjon dy minuta duke folur dhe që beson se i kanë të merituar titujt akademikë.

Mosni bre burra. Ja, as unë nuk jam doktor shkence, madje as magjistër dhe jam shumë komod kështu si jam. Unë e di që ju dytë nuk do të jeni doktorët e vetëm të pamerituar në Kosovë. Ka të tjerë si ju e mund të ketë edhe më të dobët se ju, por ju ende e keni në dorë që të tërhiqeni nga një turpërim i tillë publik dhe të mbeteni si dy burra që në një moment, megjithatë, keni denjuar të reflektoni dhe nuk keni qëndruar të pacipë deri në fund meqë keni hequr dorë nga një diçka që të gjithë e dimë se mund ta bëni!

Thjesht, njoftoni zyrtarisht stafin e univerziteteve ku jeni paraparë të doktoroni dhe anuloni procesin e doktorimit duke u zotuar se do të paguani çdo konseguencë materiale për shkak të anulimit. Besoni se kështu është më mirë për juve dhe se me këtë akt nuk do të humbni, por do të fitoni në çdo aspekt. Do ta keni një ndërgjegje më të pastër dhe një jetë më të qetë. Edhe nëse keni vendosur që në politikë të mos ndaleni, të paktën institucionin e akdemikut mos e komprometoni.

Ju edhe vetë po thoni se ka ardhur koha kur qytetarëve të Kosovës e sidmos rinisë duhet t’u kthehet besimi që kanë humbur në politikanë dhe institucione. Si mund ta ktheni besimin kur të gjithë e dimë se ju do të jeni doktorë të pamerituar, apo thjesht, doktorë shkence të falsifikuar!? Nuk mjafton vetëm hapi i lirimit nga detyra i njerëzve që kanë probleme me drejtësinë!

Vullnetin e vërtetë për një shoqëri të lirë nga krimi dhe korrupsioni, nga diktati dhe autoritarizmi do ta tregoni vetëm duke u nisur nga vetvetja, nga refuzimi i pjesës tuaj të dyshimtë dhe të keqe! Jam i sigurtë se kjo është këshilla më e mirë që keni marrë ndonjëherë në jetë dhe për të cilën nuk keni paguar asnjë qindarkë. Nëse heqni dorë, në gusht do të jem në Kosovë dhe do të shpreh dëshirën të ju takoj dhe të ju falënderoj, edhe pse kurrë në jetë nuk kisha plan të ju takoja.

Mund të dalim bashkë edhe për kafe apo të shkojmë në një fermë kuajsh veç për qejf dhe t’i kashagisim ata për ta treguar thjeshtësinë tonë si njerëz dhe dashurinë milaimzekiane për kafshët. Ju siguroj se kjo nuk do të ishte kashagitja ime e parë. Kur kam qenë fëmijë babai im ka pasur dy kuajtë më të mirë në katund, Baloshin dhe Dorinë dhe unë kam pasur faktin për t’i ndihmuar t’i kashagisë.

Nëse nuk besoni pyetni njerëzit e juaj që janë aktivistë të partisë tuaj në katundin Pemishtë. Sa kam dashur edhe t’i shaloja e t’i kaluroja, por nuk kam qenë ende në moshë për ta bërë një gjë të tillë. Të fillojmë pra, kështu bashkë të bëjmë diçka simbolike për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Mos harroni, një ditë dikush mund të kërkojë përgjegjësi politike dhe juridike pse keni uzurpuar tituj akademikë që nuk i keni merituar! Dikush mund të ngre komision hetues parlamentar, apo të ngrisë një proces gjyqësor kundër jush dhe njerëzve tjerë që ngjashëm me ju kanë përdorur autoritetin politik për të marrë tituj të pamerituar. Çfarë ju duhet të fusni therën në këmbët e juaja të shëndosha. Nuk e di çfarë motivi tjetër mund të qëndrojë pas doktorimit tuaj, pos nevojës organike për t’u shpërfaqur të realizuar intelektualisht?! Pse lodheni kot? Ju kurrë nuk mund të jeni intelektualë të kalibrit të Edi Ramës, apo Albin Kurtit, apo Veton Surroit. Asnjëri nga këta nuk janë të doktoruar! Pse doni ju të jeni? Universiteti dhe Akademia nuk ka nevojë për juve, pse ju të keni nevojë për tituj që do t’i mbani kot? Filloni të mendoni dhe të gjykoni drejt! Bëjëni hapin e parë që është hapi më i vështirë. Pastaj do ta keni më lehtë dhe më mirë.

Jeta do të jetë ferr kur mijëra gishtërinj tregues do të drejtohen nga ju: ja këta dy doktorët e rremë! Është në dorën tuaj që ata gishtërinj të mos shtrihen drejt jush... Ju nuk mund t’i këpusni të gjithë ata gishtërinj edhe sikur vërtet të ju vete mendja andej, por ju mund ta këpusni në cung dëshirën tuaj iracionale për të marrë një titull që nuk e meritoni, një titull që në vend se të jetë dritë, mund të bëhet terri juaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat