Mbrëmë pak para orës 23 filloi të fryjë një ciklon, i cili për më pak se një gjysmë ore shkaktoi dëme jashtëzakonisht të mëdha materiale, por për fat nuk pati viktima e njerëz të lënduar. Nga fuqia e erës, e përcjellë me shi shumica e rekuizitave në Plazhin e Madh pothuaj plotësisht janë dëmtuar.
Më së shumti pësoi plazhi “Kopakabana” Sipas fjalëve të qiramarrësit të plazhit Prelë Shkrelit dëmi i shkaktuar llogaritet afro 50 mijë euro. Ai shprehet i habitur dhe i shqetësuar me atë çfarë i ka ndodhur atij dhe kolegëve të tjerë.
“Diçka të tillë, për një kohë aq të shkurtër, nuk kam përjetuar në jetën time, thotë Shkreli. Vëllai i tij Mark Shkreli përmes disa fotografive të dërguara fakton gjendjen e mjerueshme në plazhin e vet “ Giovanni's Beach.
Cikloni i mbrëmshëm nxorri me rrënjë shumë drunj në Adë, Shtoj, Pinjesh, Liman, Meteriz, nën Kalanë e Ulqinit, theu ullinj, dëmtoi disa çati të vendbanimeve të ndryshme, shkatërroi disa automjete të parkauara, shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike. Përmbytet shëtitorja në Plazhin e Vogël. Një nga objektet e hotelit “ Mediteran” ka mbetur pa çati ...
Kryeshefi i Njësisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit Saubih Mehmeti thotë se punonjësit e saj qysh në orën katër të mëngjesit të sotëm ndodhen në terren për të normalizuar sadopak situatën. Atyre u janë bashkëngjitur edhe punonjësit e Elektroekonomisë së Malit të Zi dhe të Ndërmarrjes Komunale.
Banorët e vendbanimeve ku janë shkaktuar dëmet prej sot kanë kërkuar ndihmë urgjente nga organet kompetente. Sekretari i Sekretariatit për Ekonomi në Komunën e Ulqinit Agron Ibrahimi na tha se të gjithë qytetarët e dëmtuar mund te lajmërohen pranë këtij sekretariati , i cili, cili, siç theksoi ai, me seriozitet do të shqyrtojë çdo kërkesë të tyre.
Foto: Mark Shkreli