AKR e gatshme për zgjedhje, flasin për koalicionet parazgjedhore

Lajme

AKR e gatshme për zgjedhje, flasin për koalicionet parazgjedhore

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 06:32
Foto

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Kosovë kanë ndodhur zhvillime të reja politike.

Të gjitha partitë në Kosovë, pozitë e opozitë janë shprehur të gatshëm për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.

Përveç kësaj, janë folur e përfolur nëpër media mundësi të ndryshme koalicionesh e bashkëpunimesh para e pas-zgjedhore.

Ndërkohë, njëra nga partitë kryesore të koalicionit qeverisës të tanishëm, Aleanca Kosova e Re, janë shprehur të gatshëm për zgjedhje dhe nuk kanë përjashtuar asnjë parti për bashkëpunim.

Zëdhënësi i AKR-së, Vesel Makolli për lajmi.net është shprehur se partia e tij janë të gatshëm për zgjedhje.

“Ne dje kemi pasur një takim dje me partinë dhe jemi dakorduar se jemi të gatshëm për zgjedhje, kemi struktura nëpër të gjitha komunat, para dy vjetësh i kemi kryer zgjedhjet, ne jemi në mes të mandatit partiak dhe normalisht që i kemi punët mirë”, tha Makolli.

Ai është shprehur se në partinë e tij nuk kanë qenë të informua dhe janë befasuar nga dorëheqja e kryeministrit, duke shtuar se është nxjerrë mirë nga situata.

“Jemi befasuar nga dorëheqja e kryeministrit dhe nuk kemi qenë të informuar. Por atë e bën Ramushi, pra din të del prej situatës, ka dalë shumë mirë edhe si Kosovë edhe si kryeministër, si Ramush.”.

Më tutje, Makolli ka shtuar se mendojnë se duhet të legjitimohet një udhëheqje e re, ndërsa sa i përket koalicioneve ai ka thënë se nuk kanë vija të kuqe dhe janë të hapur për bashkëpunime.

“Ne jemi që të legjitimohet një udhëheqje dhe të vazhdohet puna normalisht. Sa i përket koalicionit ose diçka ne nuk kemi diskutuar për diçka të tillë si “vijat e kuqe”, sepse ata që po kanë vija të kuqe edhe po ndodhin. Nuk kemi vija të kuqe, disa parti kemi më shumë dëshirë e disa më pak të shkojmë, njëherë mendojmë edhe vetëm sepse jemi bukur të fuqishëm.”, tha Makolli.

Në fund, ai tha se nëse bëhen dy blloqe të mëdha, ata do të radhiten në njërën anë, por ka mohuar se kanë bisedime tani për tani.

“Nëse krijohen dy blloqe, atëherë do të radhitemi dhe do të bashkëpunojmë ta bëjmë më të mirën. Bisedime ende nuk kemi, ende nuk po e dimë sigurisht nëse do të ketë zgjedhje, por tani është herët për bisedime.”, tha Makolli.

Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re ishte njëra ndër subjektet politike me më së shumti ministri në qeverinë e Haradinajt.

AKR e Behgjet Pacollit kishte katër ministri dhe zëvendëskryeministrin e parë të vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat