Haradinaj intervistohet në Hagë

Lajme

Haradinaj intervistohet në Hagë

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 07:07
Foto

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të merret sot në pyetje nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë.

Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, ku edhe vepron Prokuroria, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t'u përballur me drejtësinë në Hagë.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.Duke shpallur vendimin për dorëheqje të pakthyeshme më 19 korrik, ai tha se “nuk do që të shkojë në Hagë si udhëheqës qeverie, por si qytetar i Kosovës”.

Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj paraqet zyrtarin më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që do të merret në pyetje nga hetuesit.

Ngjashëm është edhe rasti i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së, i cili po ashtu do të intervistohet sot.

Ftesa për intervistim këto ditë morën edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-anëtari i këtij shtabi, Sokol Bashota, ish-shefi i një zone operative, Shukri Buja, e të tjerë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat