Isa Mustafa s’e lëshon LDK-në, kandidon për kryetar

Lajme

Isa Mustafa s’e lëshon LDK-në, kandidon për kryetar

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 16:40
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pati frenat e LDK-së plot 9 vjet.

Isa Mustafa nuk e ka ndërmend ta lëshojë nga duart e tij Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkundër spekulimeve se ai nuk do t’i hyjë garës për lider të partisë në Kuvendin Zgjedhor që është caktuar të mbahet më 3 gusht.

Një burim brenda LDK-së thotë për lajmi.net se Mustafa u ka thënë disa anëtarëve të Kryesisë së LDK-së se do të lëshojë rrugë, por këtë deklaratë të tij nuk e ka besuar askush.

Në realitet, siç thotë ky burim, Isa Mustafa ka përdorur një taktikë të njohur të tij, si në rastin e përballjes me Fatmir Sejdiun, kur kishte thënë hapur se s’do të kandidohej, por që pak orë para se të mbahej Kuvendi Zgjedhor ai ishte shndërruar në kundër-kandidat dhe në “armik” të shefit të tij.

Isa Mustafa, sipas të gjitha gjasave, pritet ta zhvillojë betejën për të parin e LDK-së me Lutfi Hazirin.

Ndërkohë që Kuvendi Zgjedhor po afrohet, grupet brenda LDK-së kanë filluar rreshtimet e tyre dhe lufta po bëhet për mbledhjen e votave të delegatëve.

Garën e ka ashpërsuar edhe fakti që vendi pritet të shkojë në zgjedhje, pas dorëheqjes së papritur të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Për ta mbajtur LDK-në patjetër në duart e tij, Isa Mustafa, siç pohohet, ka mundësi që edhe ta kërkojë shtyrjen e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në shtator, me idenë se nuk kanë kohë për organizim.

Ndryshe, të martën ishte deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi i cili u rreshtua hapur karshi Isa Mustafës për rizgjedhje si kryetar partie.

Ai përmes Facebook ka thënë se 3 gushti ishte datë e mirë por duke parë gjendjen aktuale politike, kërkon që  zgjedhjet për kryetar të LDK-së të afrohen me qëllim që të vazhdojnë përgjegjësitë e reja.

“Në rastin e parë të rizgjedhjes së Kryetarit aktual të LDK-së, z. Isa Mustaafa ja fuqizon edhe njëherë mbështetjen për të qenë më afër këtyre proceseve me rëndësi, por edhe në rastin tjetër do i jap mundësi të rikuperoi dhe filloi së punuari me fuqi të plotë, sepse në të gjitha rastet Kosovën dhe në këtë kontest edhe partinë më të madhe dhe më të fuqishme e cila mund ti shtyej proceset e mëdha përpara”, ka shkruar Kelmendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat