Miku i Morinës reagon ndaj heshtjes së opinionit publik për arrestimin e tij: I la privilegjet e tij dhe vendosi t’i bashkohej luftës në Kosovë

Lajme

Miku i Morinës reagon ndaj heshtjes së opinionit publik për arrestimin e tij: I la privilegjet e tij dhe vendosi t’i bashkohej luftës në Kosovë

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 10:55
Ilustrim

Miku i ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, Gurakuq Dobruna,  ka reaguar ndaj këtij arrestimi i cili është bërë nga Policia e Maqedonisë së Veriut, duke u bazuar në një njoftim të Interpolit, nga shteti serb.

Ai tha se Tomori njihet në qytetin  e Gjakovës si legjende urbane dhe djalë që bënte një jetë solide.

“Tomor Morina po qëndron ende i mbyllur në Maqedoni, sepse atë e kërkon Serbia. Opinioni publik në Kosovë nuk reagon. Pse? Sepse 20 vite e fundit në Kosovë është shkruar një histori vetëm për një grup luftëtarësh të cilët i janë futur politikës si biznes, janë thurur mite të qena e të paqena për ta, ndërsa shumë luftëtarë të pashoq i kanë hedhur margjinave duke u frikësuar se mos ata po ju marrin famën. E kush është Tomori? Ai njihet në qytetin  e Gjakovës si legjende urbane. Djalë që bënte një jetë solide për kohën. Me kushte relativisht të mira financiare, me shoqëri pa fund rreth e rreth Evropës, i hareshëm dhe karizmatik në çdo ambient ku gjendej. Shok besnik dhe i papërmbajtshëm ndaj çdo padrejtësie. Por njëkohësisht i edukuar me frymë atdhedashurie”, ka thënë miku i Tomorit.

Sipas tij, Tomori i la të gjitha privilegjet që shumëkush ia kishte lakmi në atë kohë dhe ndër djemtë e parë nga Gjakova që vendosi t’i bashkohej luftës.

“Shkuarja e tij në luftë frymëzoi në atë kohë me qindra të rijnë nga qyteti për t’u mobilizuar dhe t’i bashkohen Tomorit. Atij në këtë rrugë iu bashkëngjiten edhe dy vëllezërit e tij, Miloti që erdhi nga Gjermani dhe Batoni që ishte vetëm 16 vjeç. Tomori është nga ata djem që nuk kishte shkuar me bo foto në luftë. Qëndroi vetëm nëpër vijat e para të frontit, bashkë me shokët e tij nga qyteti i Gjakovës, të cilët përbënin ‘Njësitin për Intervenime të shpejta’. Nuk ka fshat në Dukagjin ku nuk kishte luftuar deri në fund edhe në thyerjen e kufirit në Koshare. Lufta mbaroi, dhe siç i ka hije një luftëtari shembullor, iu kthyer familjes dhe shoqërisë’, ka shkruar ndër të tjera Dobruna.

Ai në përshkrimin e personalitetit të Tomorit, tha se ai nuk u fut asnjëherë rrugës së politikës, sepse mendonte se për politikë janë njerëzit me shkollime superiore që duhet të merren.

“Ai kurrë nuk përdori fjalën UCK për ndonjë privilegj. Asnjëherë…edhe pse e kishte autoritetin aq të lartë në qytet. Përkundrazi refuzoi kategorisht “oferta” të tilla.  Tomori nuk u fut as rrugës së politikës, sepse mendonte se për politikë janë njerëzit me shkollime superiore që duhet të merren. U nis për Londër dhe iu përkushtua punës dhe familjes.  …por kësi lloj profili të luftëtarëve, mediat, opinioni publik, politikanët…nuk i njohin më. Mitet për luftën i kanë krijuar tashmë 20-30 persona që i shohim çdo natë nëpër studiot televizive.  Ky është Tomori nga Gjakova. Gjakova e shumë luftëtarëve dhe heronjve. Gjakova pa asnjë gjeneral lufte”, përfundoi shkrimin e tij në rrjetin social në Facebook, Gurakuq Dobruna.

Ndryshe, për arrestimin e Tomor Morinës kanë reaguar institucionet e vendit dhe shoqëria civile.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ky ndalim është shembull i keqpërdorimit politik që Serbia bën me sistemin e flet-arrestit.

Ndërsa, shoqëria civile pranë zyrës për krime të luftës në komunën e Gjakovës ka shprehur shqetësimin e saj për arrestimin e luftëtarit të lirisë, Tomor Morina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat