Hallakamë në Qeverinë serbe, shkaku i Kosovës

Lajme

Hallakamë në Qeverinë serbe, shkaku i Kosovës

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 20:02
Ana Bernabiq, Nenad Popoviq

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq dhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq, vazhdojnë konfliktin mes vete, shkaku i devijimit të këtij të fundit nga politika e qeverisë serbe lidhur me Kosovën.

Ministri Popoviq, që shtë edhe kryetar i Partisë Popullore Serbe, ka thënë të shtunën se marrëveshja e Brukselit është e vdekur dhe se nuk ka integrim evropian për Serbinë.

Ndaj kësaj deklarate të ministrit serb, siç raporton ”Kurir”, ka reaguar kryeministrja Brnabiq, duke thënë se çdo ministër është i detyruar të zbatojë politikën e dakorduar dhe kush nuk është në gjendje ta bëjë këtë, është i lirë të largohet nga qeveria.

“Pas të gjitha mesazheve, që javët e fundit, i kemi marrë nga vendet perëndimore – ‘farsës me terroristin Ramush Haradinaj para të ashtuquajturës Gjykatë Speciale’, gjykimeve të reja që ne jemi një popull gjenocidial, arrestimit të serbëve dhe sulmeve në territorin tonë shtetëror në Kosovë – është e qartë se më nuk ka integrim evropian dhe se marrëveshja e Brukselit është e vdekur”, ka thënë Popoviq.

Kjo deklaratë e ministrit ka bërë që menjëherë të reagojë kryeministrja Brnabiqit.

“Popoviq mund të japë deklarata të tilla si kryetar i partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë. Çdo ministër është i detyruar të zbatojë politikën e përbashkët dhe të dakorduar, kurse ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, janë të lirë të largohen”, ka thënë Brnabiq.

Ndërsa nga Partia Popullore Serbe (SNP), kryetar i së cilës është Popoviq, e kanë porositur kryeministren se është në dorën e saj shkarkojë ministrat me të cilët ajo nuk është e kënaqur.

“Popoviq ka prezantuar një qëndrim politik si president i SNP. Askush nuk mund ta parandalojë nga paraqitja e pikëpamjeve politike që ishin të njohura edhe përpara se të bëhej anëtar i Qeverisë. Sidomos nëse këto qëndrime kanë të bëjnë me interesat kryesore kombëtare dhe shtetërore të Serbisë… Nëse kryeministrja është e pakënaqur me rezultatet e tij [Popoviqit] si ministër, ajo i ka mekanizmat për të rishikuar përfshirjen e tij në punën e mëtejshme të Qeverisë”, kanë thënë në SNP, për gazetën serbe. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat