E mërkura e zezë në Kosovë: Dy vrasje brenda pak orëve, aksidente, krime e arrestime

Lajme

E mërkura e zezë në Kosovë: Dy vrasje brenda pak orëve, aksidente, krime e arrestime

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 09:07
Viktima dhe i dyshuari për vrasjen e saj

Armenda Aliu-Velija 48-vjecare u godit për vdekje me breshëri plumbash nga burri me të cilën kishte vite që po jetonte. Ajo dyshohet se u vra nga 61-vjeçari, Bajram Alija në mbrëmjen  e 6 gushtit.

I dyshuari, sipas policisë besohet se ka shkrepur 15 plumba në gruan rreth 15 vjet më të re, Armendën, me të cilën po jetonte tash e sa kohë në Zvicër. Bajram Veliaj, 61-vjeçari nga Prizreni, pastaj i ka telefonuar vëllait dhe policisë për të treguar se e ka kryer krimin.  Gjithçka ndodhi pas një fjalosjeje, derisa 48-vjeçarja po priste taksinë për t’u larguar nga shtëpia. Vëllai i Bajramit thotë se janë të shokuar nga ngjarja, ndërkohë që fqinjët kanë dhënë versionet e tyre se si e njohin çiftin. Për rastin reaguan edhe krerët e shtetit, përfshirë kryeministrin Haradinaj pasi e viktima është nëna e këshilltares së tij, Diellza Hoti.

Media dje gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Prizren. Prej atje, në kohë reale u ka sjellur lexuesve informacionet e fundit, rrëfimet e familjes, fqinjëve e prokurorisë për gjithë ngjarjen.   

PRIZREN: Por si ndodhi gjithë kjo ngjarje e rëndë

E pritën me qejf muajin gusht për të ardhur në vendlindje. Erdhën të lumtur si krejt bashkatdhetarët e tjerë. Çifti Velija morën rrugë nga Zvicra për në Prizren gjatë muajit korrik. Një javë kaloi e qetë, derisa pushimi i tyre mori një kahe krejt tjetër, tragjike.

Një zënkë e ashpër në mes Bajramit dhe Armendës, shkoi aq larg sa askush nuk e priste. Bashkëshorti zgjodhi rrugën më të tmerrshme për ta ndaluar debatin me gruan e tij, atë të vrasjes. Me 15 plumba Bajram Velija shtiu mbi gruan Armenda Aliun – Veliajn, me të cilën ishte i martuar që disa vite.

Express sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Prizren. Aty ka biseduar me familjarët e Bajramit që dyshohet se vrau gruan, me fqinjët si dhe me prokurorinë e Prizrenit.

Familja e të dyshuarit: Jemi të shokuar, nuk e dimë se çka ka ndodhur. Gruaja e tij ka qenë shumë e mirë

Të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë janë dy vëllezërit e Bajramit. Njëri nga ta ka treguar se mbrëmë vëllai i tij e kishte thirrur atë në telefon. “E kam vra gruan”, tregon ai se i kishte thënë.

“Kurrë nuk e kisha mendu që ka ndodhë kjo. Ne nuk jemi familje kriminele. Ka ndodhë ajo. Vëllai mbrëmë më ka thirrur, më tha kështu: E vrava gruan. Unë nuk besoja. Thashë nuk ka shanse me ndodhë”, tregon vëllai i të dyshuarit për vrasje.

Ai thotë se tashmë e ndjera në momentin kritik kishte qenë duke hipur në taksi. Njëri nga vëllezërit tregon se çifti mund të kenë pasur disa telashe me njëri-tjetrin.

“Ajo ka qenë duke hipur në taksi, edhe ka ndodhë. Ata kanë jetuar bashkë në Zvicër. Telashe familjare ka pasur. Rasti është nën hetime. Që vjen puna deri në këtë shkallë kurrë nuk e kisha besu”, rrëfen vëllai i Bajramit.

Vrasje në Shtime

Por, pak orë pasi u raportua për vrasjen në Prizren. Një ngjarje tjetër e rëndë e tronditi Kosovën. Këtë herë, hajni u vra nga pronarët e shtëpisë, derisa kishte hyrë për të vjedhur.

Mëngjesin e hershëm të së mërkurës, në shtëpinë e mërgimtarit N.Ndrecaj nga Shtimja kanë hyrë katër persona me qëllimin për të vjedhur. Duket se hajnat nuk e kanë ditur se pronari i shtëpisë kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë për pushime. Hajnat plagosën pronarin e shtëpisë, ndërkaq ky i fundit bashkë me vëllain e tij u përleshën fizikisht me njërin prej hajnave i cili mbeti i vdekur nga plagët e marra.

SHTIME: Por si ndodhi kjo ngjarje

Pronari i shtëpisë u takua me hajnat, të cilët i kërkuan atij të dorëzohej. Kur hasën në rezistencën e tij, njëri nga ta e qëlloi atë me armë zjarri duke e plagosur kështu në këmbë.

Pas plagosjes së pronarit, hajnat u larguan nga shtëpia. N.Ndrecaj doli pas tyre, ku u takua edhe me vëllain i cili i kishte dëgjuar të shtënat e armës.

Të dy vëllezërit Ndrecaj vrapuan pas hajnave duke u përleshur kështu fizikisht me njërin prej tyre. Përleshja eskaloi edhe në përdorimin e mjeteve të forta.

Nga plagët e marra gjatë përleshjes, personi që dyshohet të ketë qenë i njëjti që e plagosi pronarin e shtëpisë ku edhe kishte hyrë për të vjedhur.

A.Ndrecaj, vëllai i pronarit të shtëpisë N.Ndrecaj është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit, ndërkaq pronari është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Krejt cka ndodhi në Kosovë më 7 gusht

E sipas Prokurorisë së Shtetit gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur tridhjetegjashtë (36) aktakuza kundër dyzetekatër (44) personave për vepra të ndryshme penale, si dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar njëzetekatër (24) persona për vepra të ndryshme penale.

Prokurori i Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit ka bërë shtatë (7) kërkesa për caktimin e paraburgimit të nëntë (9) personave.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit për rastin e “Vrasjes së rëndë” në Prizren, si dhe me rastin e kryerjes se bastisjes, janë sekuestruar:

– Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074; – 42 fishekë të pistoletës; si dhe, dy karikatorë

Po ashtu, pas aplikimit të masave të fshehta, me kërkesë të Departamentit të Përgjithshëm, të Prokurorisë Themelore në Gjilan është realizuar bastisje në dy lokacione në komunën e Vitisë, me dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, ku nga kjo bastisje janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tetë (8) persona të dyshuar. Po ashtu, kjo prokurori ka bërë një (1) kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për një (1) person. Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur nëntëmbëdhjetë (19) aktakuza kundër njëzetedy (22) personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se mbrëmë më 6 gusht 2019, rreth orës 23:00, në Prizren në rrugën “Hysni Morina”, ka ndodhur një vrasje me armë zjarri. Lidhur me këtë rast është ndaluar për 48 orë një (1) person për shkak dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, është ndaluar për 48 orë një (1) person për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Dhuna në familje”.

Po ashtu, Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur pranë Gjykatës kompetente një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për një (1) person.

Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur nëntë (9) aktakuza kundër dhjetë (10) personave, për vepra të ndryshme penale.

Me urdhër të prokurorit, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit për rastin e “Vrasjes së rëndë”.

Sekuestrimet:

Me rastin e kryerjes se bastisjes, janë sekuestruar:

– Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074;

– 42 fishekë të pistoletës; si dhe

– Dy karikatorë.

Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar gjashtë (6) persona për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar gjashtë (6) persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj tre (3) personave dhe ka bërë një (1) kërkesë për bastisje. Gjithashtu, në komunën e Kamenicës, gjatë ditës së djeshme dyshohet se një person ka bërë vetëvrasje.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, Prokuroria Themelore në Gjakovë- Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar një (1) person të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe, ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër një (1) personi , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosje”, lidhur me veprën penale “ Dhuna në familje”.

Brenda 24 orëve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një (1) person për veprën penale “Vrasje në tentativë”, si dhe ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit për veprën penale “Vrasje në tentativë” . Po ashtu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur pesë (5) aktakuza kundër nëntë (9) personave.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka bërë dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave, si dhe ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave për vepra të ndryshme penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat