Reagon Serbia pas vendimit për të mos e ekstraduar Tomor Morinën

Lajme

Reagon Serbia pas vendimit për të mos e ekstraduar Tomor Morinën

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 16:21
Tomor Morina

Ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, për të mos-ekstraduar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi, sepse nuk janë plotësuar kushtet, tregon edhe njëherë se politika ishte mbi ligjin dhe drejtësinë.

“Ky është një turp i madh për të drejtën ndërkombëtare, por është një goditje akoma më e madhe dhe trishtim i madh për familjet e viktimave, të cilat kanë dekada në pritje të drejtësisë për të dashurit e tyre”, është thënë në një deklaratë të kësaj ministrie.

Kuburoviq ka theksuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i autorëve të akteve më të rënda kundër njerëzimit, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare ose etnike, “sepse ne ia kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat