Kirurgjia Torakale bëhet me pajisje të reja

Lajme

Kirurgjia Torakale bëhet me pajisje të reja

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 14:10
Uran Ismaili

Klinika e Kirurgjisë Torakale tani e tutje do të ofrojë shërbime që nuk i kishte më herët, duke iu falënderuar pajisjeve të reja VATS dhe bronkoskop, të cilat tani e tutje do të jenë në shërbim të plotë të pacientëve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë përurimit të këtyre pajisjeve, tha se duke luftuar korrupsionin në shëndetësi është bërë e mundur që të kursehen më shumë para, të cilat po kthehen në investime për klinikat dhe spitalet tona.

“Sot në Kirurgjinë Torakale përuruam pajisjen e re të VATS-it dhe bronkoskopin që bashkë kapin vlerën e 74 mijë eurove. VATS-i i ri do të rritë sigurinë e pacientit në operacione dhe do të mundësojë rehabilitim më të shpejtë. Meqenëse operimet e tilla në privat sillen nga 25 deri në 40 mijë euro, ne kemi bërë një ndërhyrje që direkt prek jetën e pacientëve dhe buxhetin e familjeve”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tutje, ai ka thënë se duke luftuar korrupsionin ka nisur të kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor.

“Miliona euro të shpëtuara në blerjen e barnave i kemi kthyer në orientimin e duhur: në më shumë aparaturë moderne për klinikat dhe spitalet tona, të cilat tani janë në shërbim të plotë të pacientëve, qytetarëve dhe familjeve”, ka thënë ministri Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se këto investime po bëhen në vazhdën e modernizmit të pajisjeve në QKUK që pacientëve t’u ofrohen më shumë shërbime.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, tha se tani e tutje kjo klinikë do të ofrojë shërbime që nuk i ka pasur më herët.

“Për herë të parë do të nisim me ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat më parë qytetarët i kanë marrë jashtë vendit. Përmes këtyre pajisjeve, pacientët nuk do të kenë më nevojë të qëndrojnë 12 ditë në spital, por maksimumi dy ditë”, ka thënë ai. 

Ndryshe, aparaturat e përuruara sot rrisin cilësinë dhe sigurinë e ndërhyrjes, zvogëlon mundësinë për infeksione dhe përshpejton kohën e rehabilitimit të pacientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat