Po kërkohet trupi i 55-vjeçarit që u mbyt dje në Batllavë

Lajme

Po kërkohet trupi i 55-vjeçarit që u mbyt dje në Batllavë

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 13:14
Batllavë

Edhe sot janë duke vazhduar kërkimet për 55-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht të dielën, derisa me familjen e tij kishte dalë për pushime  në Liqenin e Batllavës.   

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka deklaruar se gjetja e trupit të të ndjerit po vështirësohet pasi që vendi ku dyshohet se ka humbur është nën 20 metra thellësi dhe në atë vend ka barishte dhe baltë.

Kishte zgjedhur Liqenin e Batllavës që së bashku me familjen e tij të kalonte vikendin.

Por, kjo doli të jetë tragjike për 55-vjeçarin (identiteti i të cilit nuk do të publikohet), pasi që i njëjti derisa së bashku me familjen mori një barkë, pas zhytjes në ujë, do të zhdukej dhe trupi i tij nuk u gjet as pas më shumë se 24 orëve.

Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur sot se kërkimet për të janë ende duke vazhduar, e që deri më tani nuk ka informacione të reja.

Lidhur me këtë çështje, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hivzi Bajraktari ka deklaruar se për rastin është njoftuar nga policia, dje rreth orës 16:00.

“Dje jemi njoftu ka ora 16:30, përmes policisë që ka ndodhë një aksident, zhytje e personit që deri më tani nuk është gjete hala. Kemi shkuar në vend të ngjarjes ku kemi takuar policinë dhe zhytësit që janë përpjekë për me gjete trupin por nuk kanë arritur”, thotë prokurori. Ai tutje  deklaron se sipas dëshmitarëve, menjëherë pasi që është lajmëruar se i njëjti nuk ka dalë nga uji, zhytësit menjëherë kanë filluar kërkimet. Të njëjtat kanë vazhduar të dielën deri në orët e vona, por, që janë ndalë për shkak të pamundësisë të kërkimeve, në mungesë të kushteve. Sipas dëshmitarëve ata menjëherë kanë tentu për me shpëtu edhe zhytësit kanë filluar për gjetjen e trupit por nuk kanë arrit ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes për shkak të natës”, deklaron Bajraktari.

Kërkimet ndërkaq po bëhen edhe më të vështira, pasi që vendi ku po besohet se 55-vjecari është zhytur është ujë në thellësi deri në 20 metra, ku ka barishte dhe baltë që po i vështirësojnë kërkimet.

Prokuroria ndërkaq, njofton se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetje të trupit.

Familjarët e të ndjerit ende nuk janë marrë në pyetje nga hetuesia, ndërkaq, merret vesh se 55-vjeçari së bashku me familje kishin shkuar për pushime në vikend në Batllavë, derisa, sa barka ishte në lëvizje, personi është hedhë në ujë dhe nuk ka dalë më.

Mësohet jozyrtarisht se i ndjeri kishte qenë punëtor në kompaninë KEK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat