Bërnabiq: Serbia nuk do kufij etnikë me shqiptarët

Lajme

Bërnabiq: Serbia nuk do kufij etnikë me shqiptarët

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 19:00
Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se ky shtet nuk është pro kufijve etnikë me shqiptarët.

Ajo në një konferencë për media në Maqedoninë e Veriut, bashkë me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se madje Serbia është në favor të pajtimit me shqiptarët, “por nuk ka bashkëbisedues”.

“Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiq, ndërsa ai ishte në krye të qeverisë, ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans që është i hapur”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo më pas ka thënë se vendimi i autoriteteve maqedonase për mosekstradimin e Tomor Morinës në Serbi ka qenë vendim politik.

Në zyrtarizimin e fillimit të funksionimit të vendkalimit të integruar kufitar Preshevë – Tabanovc, sipas “Alsat”, Bërnabiq ka thënë se “mesazhi është bashkëpunimi, jo pengesat, e ardhmja dhe jo e kaluara, për një rajon tjetër ku nuk do të ketë vendkalime kufitare, dogana, barriera që ngufasin qytetarët e ekonominë”.

Në anën tjetër, kryeministri maqedonas Zaev ka thënë se beson që ka ardhur koha për pajtim historik mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi evropianë dhe duhet ta dëshmojmë”, tha Zaev.

Ai theksoi se udhëheqësve duhet t’u jepet një shans për të gjetur një zgjidhje, pasi kjo do të jetë jo vetëm për të mirën e vendeve të tyre, por edhe të gjithë rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat