McAllister: BE-ja e ka bërë të qartë se taksa duhet të hiqet

Lajme

McAllister: BE-ja e ka bërë të qartë se taksa duhet të hiqet

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 19:18
David McAllister

Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka thënë se Bashkimi Evropian ka qenë i qartë, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet, në mënyrë që të rinis dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, qysh në nëntor të vitit të kaluar.

McAllister po qëndron për vizitë në Serbi ku ka takuar zyrtarët e lartë serbë, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka diskutuar për çështjen e dialogut me Kosovën, i cili është i pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar.

“Aktualisht ekzistojnë pengesa serioze. BE-ja ka qenë e qartë se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet. Kjo është thënë edhe në deklaratën e vendeve të Kuint-it (Gjermania, Franca, SHBA-ja, Britania e Madhe, Italia), e cila bën thirrje për një reagim të përgjegjshëm të Prishtinës. Por, besoj se tash duhet të presim rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë”, tha McAllister.

Presidenti Vuçiq në takim me delegacionin e Parlamentit Evropian ka thënë se Serbia e mbështet vendosmërisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por ka shtuar se ky “dialog është i mundshëm vetëm kur Kosova të heqë taksën ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, raportojnë mediat serbe”.

Në fokus të diskutimeve, të McAllister në Serbi ka qenë edhe përparimi i këtij vendi drejt plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE.

McAllister ka thënë se Serbia ka reputacionin e faktorit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por theksoi nevojën që ky vend të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit.

“Institucionet e reja evropiane, si ato të mëparshme, do të vazhdojnë të ndjekin një politikë afatgjate të zgjerimit të BE-së. Në veçanti, ne duam të vendosim perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha McAllister.

Eurodeputeti McAllister po qëndron në Serbi për herë të parë në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Ai më parë ka shërbyer si raportues i PE-së për Serbinë./ReL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat