Daçiq: 15 vende të OKB-së e kanë tërhequr njohjen e Kosovës

Lajme

Daçiq: 15 vende të OKB-së e kanë tërhequr njohjen e Kosovës

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 20:09
Ivica Daçiq

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq nuk ka të ndalur me propagandën e tij kundër Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të shteteve të QUINT-it, që Serbia të ndalojë fushatën e tërheqjes së njohjes dhe propagandën kundër Kosovës, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, nuk ka të ndalur.

Siç shkruajnë mediet serbe, transmeton lajmi.net, gjatë ditës së sotme Daçiq, ka thënë se qëllimi i Serbisë është që të zvogëlojë numrin e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që e kanë njohur Kosovën.

Ai pretendon që deri në fund të vitit të përgjysmohet numri i shteteve të OKB-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Qëllimi ynë është që të krijojmë një pozicion sa më të mirë në diskutime për të ardhmen e Kosovës dhe të zvogëlojmë numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën. Pretendojmë që numri i tërheqjes së njohjeve të bjerë nën gjysmën e vendeve anëtare të OKB-së, dhe kjo do të bëhet shumë shpejt, pra deri në fund të vitit. Jini të sigurt dhe të bindur se nuk ka shanse që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL, prandaj mos u hutoni”, deklaroi sot Daçiq në seancën e Kuvendit serb, ku u diskutua heqja e vizave për katër vende.

Sipas Daçiqit, 15 vende deri më tani e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, e që i bie tetë për qind e vendeve/votës totale në OKB.

Kreu i diplomacisë serbe theksoi se Serbia do të vazhdojë edhe më tutje të lobojë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

“Në Kosovë thonë se ne duhet të ndalemi (me lobim) dhe ata (Kosova) duhet të heq taksën, kështu që nuk ka asgjë për të bërë. Ne duhet të ndalojmë lobimin dhe ata të vazhdojnë të mbajnë taksën”, tha Daçiq, duke theksuar se është me interes kombëtar dhe shtetëror për të vazhduar lobimin dhe se sipas tij, sa më shumë vende që e tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës aq më mirë është për Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat