Krasniqi flet për letrën e Qunit-it dhe deklaratat e senatorëve amerikanë: Vijat e kuqe të Kosovës në dialog

Lajme

Krasniqi flet për letrën e Qunit-it dhe deklaratat e senatorëve amerikanë: Vijat e kuqe të Kosovës në dialog

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 15:45
Foto nga intervista

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ishte një tjetër temë që u diskutua në intervistën 45/45 së kësaj jave në KosovaPress me Jeta Krasniqin nga KDI, e cila udhëheq me projektet që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut.

Krasniqi tha se në dyvjeçarin e fundit dialogu ka dalë nga binarët dhe Kosova ka shpenzuar kohë duke u marrë me veten se kush duhet ta përfaqësojë në këtë proces dhe çfarë teze të shtyjnë përpara dhe jo duke konsoliduar veten në arenën ndërkombëtare. Ajo foli për çështjet që duhet të jenë vija të kuqe të Kosovës në dialog, pasi mund të rrezikojë funksionimin tonë si shtet.

Duke pasur në mendje idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh dhe kundërshtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Krasniqi tha se Kosova po lobonte për dy teza në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe në vlerësimin e saj e dëmtoi pozitën e Kosovës.

Sipas saj, ndonjëherë dukej se liderët për shkak të qëndrimeve të tyre po përfaqësonin shtete të ndryshme.

Krasniqi: Mos uniteti dëmtoi pozitën e Kosovës

“Ishte ideja e kundërshtuar nga kryeministri Haradinaj kundër korrigjimit të kufijve apo kundër çfarëdo lloj bisedimi rreth integritetit territorial të Kosovës dhe ideja për një korrigjim kufijsh nga ana e presidentit Thaçi. Kjo në fakt dëmtoi, vlerësoi unë, vet pozitën e Kosovës në këtë proces pasi të shkosh dhe të lobosh për dy teza të ndryshme të cilat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën nuk është efektive dhe u duk në momente të caktuara sikur përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të shtetit, përfaqësonin shtete autonome apo kishin shtetin e veçantë dhe kjo tregon mungesën e seriozitetit të shtetit të Kosovës dhe nuk e shpërfaq seriozitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Jemi marrë për dy vite me veten tonë se si e vlerësojmë ne këtë proces dhe në asnjë moment nuk kemi arritur pozitën tonë unike karshi Serbisë në këtë rast, por karshi ndërmjetësuesve qoftë Bashkimi Evropian, qoftë Shtet eve të Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Kohë më parë qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një letre thanë se janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Për Jeta Krasniqin kjo letër duhet të shihet me pozitivitet pasi tregon se tashmë ka edhe një konsensus në mesin e vendeve aleate të Kosovës për procesin e dialogut.

Megjithatë, ajo tha se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme që të ndërtojë kërkesat e saj mbi këtë mbështetje dhe të marrë garanca se do të ketë po kaq mbështetje edhe rreth integrimit evropian të vendit duke ditur se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Krasniqi: Letra e Quint-it pozitive, por Kosova të marrë garanca për të ardhmen evropiane

“Duhet të shihet si një gjë pozitive që kemi një pozitë të përbashkët të shteteve të Quint-it pasi në procesin e dialogut kishim disa problematika, ndërsa patëm problematikën e brendshme që nuk arritëm të kemi një konsensus në fakt pamë që edhe faktori ndërkombëtar nuk arriti të kishte një konsensus sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të gatshme të flisnin për çështje të ndryshme përfshirë edhe korrigjimin e kufijve por kjo tezë nuk është se u pranua nga aleati ynë Gjermania e cila ishte komplet kundër kësaj ideje. Vet fakti që nuk ka një konsensus apo një korelacion të qëndrimeve në arenën ndërkombëtare e dëmton edhe vet procesin e dialogut në përgjithësi, asaj të zgjidhjes potenciale. Është pozitive që kemi mbështetjen për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme edhe nga shtetet e Quintit, por ne duhet të kemi edhe qartësim a do të thotë kjo që Kosova do të ketë mbështetjen e plotë edhe për njohjen nga pesë shtetet jo njohëse të Bashkimit Evropian dhe që do të kemi garanca që do të kemi perspektivë reale për integrime evropiane, pasi Kosova nuk mund të ketë perspektivë evropiane pa u njohur nga pesë shtetet jo njohëse”, vijoi Krasniqi.

Gjatë kësaj jave vendin tonë e vizituan senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson të cilët thanë se Kosova duhet të sakrifikojë që procesi i dialogut të vazhdojë dhe të ketë një marrëveshje përfundimtare që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mirëpo, për Krasniqin sakrificat duhet të jenë të tilla që mos ta cenojnë funksionimin e brendshëm të Kosovës, që mos të cenojnë integritetin territorial të vendit dhe ta bëjnë Kosovën shtet më të fortë.

Ajo thekson faktin se Kosova duhet të dalë më mirë nga proces i dialogut dhe të mos pranojë të diskutojë për çështje që do të rrezikojnë ta shndërrojnë Kosovën në një Bosnje të dytë.

Krasniqi: Nuk duhet të pranojmë sakrifica që na bëjnë një Bosnjë të dytë

“Kosova në këtë proces të dialogut duhet të dalë më mirë në kuptimin që duhet të jetë shtet edhe më i fuqishëm sesa po futet, kjo do të thotë që Kosova nuk duhet në asnjë mënyrë të flasë për integritetin e saj territorial, nuk duhet në asnjë mënyrë të flasë për çështje që e bëjnë Kosovën jofunskionale si shtet, pra jo një Bosnje të dytë dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që të cenojë integritetin apo përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare. Prandaj sakrificat për të cilat flasin senatorët amerikanë duhet të jenë të tilla që mos ta cenojnë funksionimin tonë të brendshëm, që mos të cenojnë integritetin tonë territorial dhe të na bëjnë ne shtet edhe më funksional dhe të na bëjnë ne shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera ndërkombëtare. Versione të ndryshme apo skenarë të tjerë të cilat e bëjnë Kosovën jofunskionale nuk i kontribuojnë, as paqes, as stabilitetit rajonal”, tha ajo .

Qeveria e re e Kosovës, pavarësisht emrit të kryeministrit apo kryeministres, do ta ketë në agjendën e saj edhe çështjen e dialogut për të cilën Jeta Krasniqi tha në KosovaPress, se duhet të tregohet kujdes.

Ajo kërkoi nga institucionet të jenë më seriozë dhe të kenë unitet në qëndrime, pasi vetëm kështu mund të dëshmojmë që jemi shtet i pavarur që duam të shtyjmë përpara çfarëdo lloj procesi.

Krasniqi: Në dialog institucionet të jenë serioze dhe kenë unitet në qëndrime

“Të jenë seriozë në mënyrën se si e trajtojnë çështjen e dialogut dhe të tentojnë të kenë një qëndrim unik duke bashkërenduar veprimet ndërinstitucionale por edhe duke ditur qartazi se si të arrijmë deri atje. Retorikat boshe politike duhet të lihen anash, kemi të bëjmë me një proces shumë serioz dhe duhet të tregohet se ne si shtet jemi seriozë dhe ne si shtet jemi të pavarur dhe mund të shtyjmë çfarëdo lloj procesi që ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve dhe me të ardhmen e shtetit tonë përpara si një shtet prapë po e them serioz dhe i pavarur”, tha Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat