Krasniqi për qëndrimet e Thaçit dhe Haradinajt për korrigjim të kufijve: Dukej sikur liderët po përfaqësonin shtete të ndryshme

Lajme

Krasniqi për qëndrimet e Thaçit dhe Haradinajt për korrigjim të kufijve: Dukej sikur liderët po përfaqësonin shtete të ndryshme

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 17:56
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Jeta Krasniqin nga KDI, e cila udhëheq me projektet që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut ka thënë se në dyvjeçarin e fundit, dialogu ka dalë nga binarët dhe Kosova ka shpenzuar kohë duke u marrë me veten se kush duhet ta përfaqësojë në këtë proces dhe çfarë teze të shtyjnë përpara dhe jo duke konsoliduar veten në arenën ndërkombëtare.

Ajo, gjatë një interviste për KP, ka folur për çështjet që duhet të jenë vija të kuqe të Kosovës në dialog, pasi mund të rrezikojë funksionimin tonë si shtet.

Duke pasur në mendje idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh dhe kundërshtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Krasniqi tha se Kosova po lobonte për dy teza në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe në vlerësimin e saj e dëmtoi pozitën e Kosovës.

Sipas saj, ndonjëherë dukej se liderët për shkak të qëndrimeve të tyre po përfaqësonin shtete të ndryshme.

“Kjo në fakt dëmtoi, vlerësoi unë, vet pozitën e Kosovës në këtë proces… Jemi marrë për dy vite me veten tonë se si e vlerësojmë ne këtë proces dhe në asnjë moment nuk kemi arritur pozitën tonë unike karshi Serbisë në këtë rast, por karshi ndërmjetësuesve qoftë Bashkimi Evropian, qoftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Kohë më parë qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një letre thanë se janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Për Jeta Krasniqin kjo letër duhet të shihet me pozitivitet pasi tregon se tashmë ka edhe një konsensus në mesin e vendeve aleate të Kosovës për procesin e dialogut.

Megjithatë, ajo tha se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme që të ndërtojë kërkesat e saj mbi këtë mbështetje dhe të marrë garanca se do të ketë po kaq mbështetje edhe rreth integrimit evropian të vendit duke ditur se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

“Është pozitive që kemi mbështetjen për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme edhe nga shtetet e Quintit, por ne duhet të kemi edhe qartësim a do të thotë kjo që Kosova do të ketë mbështetjen e plotë edhe për njohjen nga pesë shtetet jo njohëse të Bashkimit Evropian dhe që do të kemi garanca që do të kemi perspektivë reale për integrime evropiane, pasi Kosova nuk mund të ketë perspektivë evropiane pa u njohur nga pesë shtetet jo njohëse”, vijoi Krasniqi.

Gjatë kësaj jave vendin tonë e vizituan senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson të cilët thanë se Kosova duhet të sakrifikojë që procesi i dialogut të vazhdojë dhe të ketë një marrëveshje përfundimtare që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mirëpo, për Krasniqin sakrificat duhet të jenë të tilla që mos ta cenojnë funksionimin e brendshëm të Kosovës, që mos të cenojnë integritetin territorial të vendit dhe ta bëjnë Kosovën shtet më të fortë.

Ajo thekson faktin se Kosova duhet të dalë më mirë nga proces i dialogut dhe të mos pranojë të diskutojë për çështje që do të rrezikojnë ta shndërrojnë Kosovën në një Bosnje të dytë.

“Versione të ndryshme apo skenarë të tjerë të cilat e bëjnë Kosovën jofunskionale nuk i kontribuojnë, as paqes, as stabilitetit rajonal”, tha ajo .

Qeveria e re e Kosovës, pavarësisht emrit të kryeministrit apo kryeministres, do ta ketë në agjendën e saj edhe çështjen e dialogut për të cilën Jeta Krasniqi tha në KosovaPress, se duhet të tregohet kujdes.

Ajo kërkoi nga institucionet të jenë më seriozë dhe të kenë unitet në qëndrime, pasi vetëm kështu mund të dëshmojmë që jemi shtet i pavarur që duam të shtyjmë përpara çfarëdo lloj procesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat