Emërohen anëtarët e Task Forcës për luftimin e piraterisë

Lajme

Emërohen anëtarët e Task Forcës për luftimin e piraterisë

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 17:55
Kujtim Gashi

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të dispozitave ligjore në fushën e të Drejtës së Autorit dhe Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit, ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Task Forcës kundër piraterisë në fushën e të drejtës së autorit.

Task Forca do të ketë në përbërje drejtorin e Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta nga MKRS - kryesues; kryeinspektorin e Inspektoratit të Tregut - MTI - zëvendëskryesues; përfaqësuesin e Prokurorisë së Shtetit; drejtorin e Zyrës për Pronësi Industriale - MTI; udhëheqësin e Sektorit të Pronësisë Intelektuale nga Dogana e Kosovës; shefin e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës; shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike po ashtu nga Policia e Kosovës; dhe kryeshefin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar nga Ministria e Drejtësisë. 

Task Forca do të ketë në përgjegjësi zbatimin e strategjisë kombëtare për forcimin e sistemit të së drejtës së autorit, koordinimin e veprimeve të institucioneve në luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete nga ana e  institucioneve dhe organeve kompetente që janë pjesë e Task Forcës dhe institucioneve tjera që ndërlidhen me luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë në fushën e të drejtës së autorit, dhe sensibilizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe publikut në luftën kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit. 

Ministri Gashi tha se me këtë veprim po ndërmerren veprimet konkrete në luftën kundër falsifikimit dhe mbrojtjes së krijimtarisë dhe autorëve, duke dëshmuar vendosmërinë e institucioneve për zbatim ligjit në kuadër të shtetit të së drejtës. 

“Jam i bindur që vendimi i marrë sot do të jap frytet e veta. Task Forca do të jetë një mekanizëm dhe trupë, e cila do të angazhohet në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë dhe shpresoj se kjo gjë do të shihet në terren. Besoj se krijuesit e autorët do të ndjehen më të sigurt për punën e tyre dhe do të nxiten që t’i sjellin vendit tonë krijimtari e vepra me të cilët do të krenohemi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat