Scott: Qeveria e ardhshme e Kosovës ta heqë taksën dhe të rifillojë dialogun

Lajme

Scott: Qeveria e ardhshme e Kosovës ta heqë taksën dhe të rifillojë dialogun

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 00:19
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott, ka dhënë mesazhe të qarta për qeverinë e re e cila do të formohet në Kosovë. Sipas tij, pas 6 tetorit, ai që vjen në krye të qeverisë duhet ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të punojë në drejtim të rifillimit të dialogut.

Në një intervistë për Kurir, Scott ka thënë se SHBA’ja e mbështet normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Me emërtimin Matthew Palmer, Pompeo ka dhënë mesazh se përpjekjet e SHBA’së për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar.

“Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kohët e fundit emëroi mikun dhe kolegun tim Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Ai do të kryesojë përpjekjet tona për të intensifikuar përpjekjet diplomatike të SHBA-së për të mbështetur paqen, stabilitetin dhe partneritetin në rajon dhe të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane” tha Scott.

Tutje ai shtoi se Matthew “e njeh mirë rajonin, Serbinë, por edhe problemin e Kosovës, kështu që unë mendoj se ai është një person ideal për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Scott.

Scott gjithashtu ka përsëritur qëndrimin amerikan se tarifa ndaj mallrave serbe duhet të pezullohet, por duke e thënë qartë se për SHBA’në, pavarësia e Kosovës është punë e kryer.

“Ata thonë kaq thjesht që s’mund të pranojnë që Kosova është vend i pavarur e sovran, por ai është. Ne nuk mund ta “detyrojmë” as Kosovën e as Serbinë ta njohin njëra tjetrën. SHBA-ja është atje si partner, duke mbështetur procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe do të bëjë gjithçka që mundet për të inkurajuar dhe lejuar që të dy palët të arrijnë një marrëveshje. Kjo është në interes të popujve të Serbisë dhe Kosovës, por edhe të të gjithë rajonit, BE-së dhe SHBA-së” tha Scot.

Në fund, Scott tha se mesazhi është i qartë, dialogu duhet të rifillojë.

“Mesazhi ynë është i qartë: SHBA-ja dëshiron që Kosova të heq tarifat në mënyrë që dialogu me Beogradin të fillohet përsëri. Tani është e rëndësishme që Prishtina të marrë një qeveri të re, të heq taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të vazhdojë dialogun”, ka thënë tutje Scott.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat