IKD kërkon anulimin e konkurseve të shpallura sipas ligjit të shfuqizuar

Lajme

IKD kërkon anulimin e konkurseve të shpallura sipas ligjit të shfuqizuar

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:27
Instituti i Kosovës për Drejtësi IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi IKD ka analizuar konkurset e shpallura nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilat janë shpallur që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ku ka identifikuar se institucionet i sistemit të drejtësisë, ato qendrore dhe lokale duke u bazuar në ligjin e vjetër kanë shpallur së paku 70 konkurse për 261 zyrtarë publikë, në kundërshtim me ligjin.

Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt 2019, kishte miratuar Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. I njëjti ligj ka shfuqizuar Ligjin për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës. 

Sipas këtij ligji, nga data 12 shtator 2019, të gjitha konkurset publike do të duhej të shpalleshin në bazë të këtij ligji.

Përkundër kësaj, numër jashtëzakonisht i madh i institucioneve, kanë shpallur konkurse duke u bazuar në ligjin e vjetër mbi Shërbimin Civil, i cili tanimë është i shfuqizuar. 

Për nga numri konkurseve të shpallura, duke u bazuar në ligjin tanimë të shfuqizuar kampione është Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me gjithsej 20 konkurse të shpallura, derisa për nga numri i pozitave të shpallura, kampion është Këshilli Gjyqësor i Kosovës më gjithsej 91 pozita të shpallura.

IKD vlerëson se këto gjetje tregojnë përpjekjet e reja për politizim të administratës shtetërore, kjo pasi që në ligjin e ri ka kufizime më të mëdha për manipulime, të cilat kufizime nuk gjenden në ligjin e kaluar.

Në këtë drejtim, IKD i bën thirrje publike Ministrisë së Administratës Publike si përgjegjëse kryesore për këtë dështim në zbatimin e ligjit të ri, që urgjentisht, të kërkojë nga të gjitha institucionet publike, anulimin e konkurseve të shpallura me ligjin e vjetër dhe të kthejë ligjshmërinë në procesin e rekrutimit të zyrtarëve publikë.

Lista e institucioneve që kanë shpallur konkurse në mënyrë të kundërligjshme:

1.     Agjencia Kosovare e Privatizimit 

2.     Agjensioni Kundër Korrupsionit

3.     Këshilli Gjyqësor i Kosovës

4.     Këshilli Prokurorial i Kosovës

5.     Komuna e Prishtinës

6.     Komuna e Drenasit

7.     Komuna e Podujevës

8.     Komuna e Skenderajt

9.     Komuna e Mitrovicës

10.  Komuna e Istogut

11.  Komuna e Pejës

12.  Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit

13.  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

14.  Ministria e Administratës Publike

15.  Ministria e Punëve të Brendshme

16.  Ministria e Zhvillimit Ekonomik

17.  Ministria e Drejtësisë

18.  Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal

19.  Policia e Kosovës 

20.  Shërbimi Korrektues i Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat