Lladrovci – Osmanit: Kërko falje për qasjen ndaj Stadiumit dhe Drenasit

Lajme

Lladrovci – Osmanit: Kërko falje për qasjen ndaj Stadiumit dhe Drenasit

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 00:22
Stadiumi

Kryetari i Komunës së Drenasit edhe sot përmes një postimi të publikuar në llogarinë Facebook ka vazhduar ta komentoi deklaratën e kandidates për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmanit, e cila e ka komentuar edhe ndërtimin e stadiumit nacional që do të ndërtohet në Zonën Industriale në Drenas, duke shprehur dyshimet e saj.

Lladrovci ka thënë se Osmani po dëshiron që stadiumin ta luajë nga vendi, ndërsa ka thënë se ka marrë shumë mesazhe shqetësuese rreth deklaratës së saj, derisa i ka kërkuar asaj të kërkoj falje.

Postimi i plotë:

Pas deklarimit të mbrëmshëm të Vjosa Osmanit rreth Stadiumit nacional, shumë qytetarë dhe bartës të përgjegjësive institucione lokale, kanë shprehur shqetësim dhe dyshime për këtë qëndrim të saj.

Emërues i përbashkët i këtij shqetësimi është deklarimi se "kjo nuk është pritur nga mbesa jonë, turp"!

Lidhur me këtë çështje, dua të theksoj si vijon:

Është për keqardhje që Ju, Vjosa Osmani, doni stadiumin ta luani vendit. Pa dhënë asnjë arsye, pa bazë ligjore e asnjë argument, edhe Stadiumin nacional do me “çue në shpi”!

Një pretendente për kryeministre me injorimin e papranueshëm politik flet me “çue te shpia” edhe Stadiumin nacional, sikur stadiumi nacional të gjendej në Kurshumli e jo në Drenas.

Pas shumë lëshimeve të rënda, si ajo për çlirimin e dytë, se Kosova është çliruar me mend, si më i freskët është qëndrimi absurd politik për sportin, sikur Drenasi ka grabitur stadium, e ajo do ta kthej, në Prishtinë.

Vjosë, së paku është dashur të marrësh diçka nga urtësia dhe mençuria e ish Presidentit Sejdiu e të mos zbulohesh sheshit kështu, pa filluar mirë fushata. Këtu dalloni edhe nga familjarët Tuaj shumë të nderuar në Vërbovc.

Po dëshmon se as afër nuk je për vendime të mëdha, as të kesh qëndrim të duhur ligjor e jo dëshira shqetësuese për ne, rreth një vendimi të kryer me çdo procedurë legale për stadiumin nacional.

Do të duhej të ishe më “patriote” me program e projekt për ofertën që paraqet para opinionit e jo të bëhesh provincialiste e trishtueshme dhe me tentue me “ia marrë” Drenasit stadiumin e me “ia dhanë” Prishtinës.

Këtë nënçmim, e kemi të njohur dhe nuk e kemi durue. Por, dije, nuk do të kesh sukses. Nuk do të kesh sukses, sepse të mungon baza ligjore dhe arsyeja për një gjë të tillë. Ke folë nga inati dhe qasja e gabuar ndaj Drenasit, ndërsa në ndërdije e ke pasur inatin kundër PDK-së.

Ta kesh në dijeni, puna e personaliteteve, këndej për jetë e mot, fryma e Skënderbeut, Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit janë gjallë, këtë është dashur të ta thonë hartuesit e projekteve tua “për vjedhje”, kur do me ngrit dorë mbi Stadium!

Prandaj, merre shtruar, kërko falje për qasjen ndaj Stadiumit dhe Drenasit. Stadiumin nuk mundesh me çue në shpi, beso! Nuk mundesh! Kërko falje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat