Pacolli akuzohet se shoqërohet me të dyshuarin e vrasjes së Ivanoviç

Lajme

Pacolli akuzohet se shoqërohet me të dyshuarin e vrasjes së Ivanoviç

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 06:24

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është përfshirë në një skandal të madh pas publikimit të një fotoje ku shfaqet në krah të Milan Radojçiçit, i akuzuar për shumë vepra penale.

“Insajderi” ka publikuar fotografinë nga një takim që Milan Radojçiç ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin dhe kryediplomatin kosovar në detyrë, Behgjet Pacollin, që po ashtu është kryetar i Aleancës Kosova e Re.

Takimi raportohet se është zhvilluar vitin e kaluar në një jaht që e ka në pronësi Millan Radojçiç, në Budva të Malit të Zi.

Pacolli në të kaluarën nuk e ka mohuar që mund ta ketë takuar Radojçiçin, por në prononcime publike është arsyetuar se ai takon shumë njerëz.

Milan Radojçiç nga Prokuroria Speciale në Kosovë dyshohet si i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Ivanoviç u vra para zyrës së tij në veri të Mitrovicës më 11 janarit të vitit 2018 derisa urdhër arresti për Radojçiçin ishte lëshuar shtatë ditë më vonë. Nga ajo kohë ai ndodhet në arrati.

Milan Radojçiç konsiderohet në mediat kosovare edhe si kontrolluesi ‘de facto’ i krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ka thënë se ende nuk e ka parë fotografinë e zëvendëskryeministrit në largim të Kosovës me Radojiçiçin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e ish-liderit të SDP-së.

Megjithatë, në një bisedë telefonike me Insajderin, prokurori Hoxha u shpreh se hetuesit e Prokurorisë Speciale do ta marrin në konsideratë fotografinë që shfaq Pacollin dhe Radojiçiçin në shoqërinë e njëri-tjetrit në Mal të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat