Raporti për diskriminimin në bazë gjinore

Lajme

Raporti për diskriminimin në bazë gjinore

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 17:55
Foto nga takimi

“Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Ballkanin Perëndimor” është raporti i ri hulumtues nga një koalicion i organizatave për të drejtat e grave nga Ballkani Perëndimor i cili u prezantua sot në Bruksel. Raporti i hulumtimit përfshin një numër rekomandimesh për institucionet nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimin Evropian për një sërë temash, përfshirë miratimin dhe zbatimin e reformave mbi diskriminimin me bazë gjinore, përmirësimin e qasjeve të monitorimit dhe mbështetjen e vazhdueshme për organizatat e të drejtave të grave.

Raporti nxjerr se diskriminimi me bazë gjinore është i përhapur, veçanërisht në lidhje me punësimin, promovimin, pushimin e lehonisë dhe ngacmimin seksual.

Gjithashtu, sipas hulumtimit del se kornizat ligjore që kanë të bëjnë me diskriminimin janë të copëtuara dhe shpeshherë jo në përputhje me ato të rajonit, dhe se standardet e ndryshme të mbrojtjes, procedurat dhe sanksionet e zbatueshme në bazë të ligjeve të ndryshme të mbivendosura kontribuojnë në ngatërrim.

Një e gjetur tjetër e paraqitur në raport është se disa institucione përgjegjëse nga Ballkani Perëndimor për adresimin e diskriminimit të bazuar në gjini të lidhura me punën, përmbajnë të dhëna të qarta rreth përhapjes së tij.

Gjithashtu,  thuhet se derisa institucionet përkatëse kishin njohuri të përgjithshme në adresimin e diskriminimit me bazë gjinore në punë, nga rastet që janë raportuar në institucione vërehet se nuk kanë përvojë praktike në trajtimin e rasteve të tilla.

Në përgjithësi, sipas hulumtimit, njerëzit nuk kanë njohuri se ku mund të raportohet diskriminimi me bazë gjinore.

"Ekziston një nevojë urgjente për më shumë veprime për të trajtuar diskriminimin me bazë gjinore në të gjithë rajonin dhe në të gjitha nivelet. BE po punon me qeveritë, përfaqësuesit e sektorit privat dhe shoqërinë civile drejt reformave dhe veprimeve të nevojshme në këtë fushë, dhe do të vazhdojë të sigurojë mbështetje tjetër për të nxitur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në rajon. Gjatë viteve të kaluara, ndihma jonë ka dhënë rezultate konkrete në fusha të rëndësishme, siç është lufta kundër dhunës me bazë gjinore dhe mbështetje për organizatat e të drejtave të grave”, ka thënë Genoveva Ruiz Calavera, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian

Ky studim i cili u mbështet nga BE dhe Sëedish Development Cooperation është pjesë e një iniciative të gjerë rajonale që synon adresimin e diskriminimit të bazuar në gjini dhe përmirësimin e të drejtave të grave në lidhje me punësimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat