A do ta marrë Albin Kurti ish-ministrin Bushatin, si kryediplomat në Kosovë?

Lajme

A do ta marrë Albin Kurti ish-ministrin Bushatin, si kryediplomat në Kosovë?

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 23:54
Foto ilustrim

Deklarata e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti në Tiranë, para zgjedhjeve të 6 tetorit: “Do jemi qeveria e parë në Kosovë që do hapë dyert për shqiptarët. Ne duhet të mbledhim më të mirët që kemi jo vetëm nga Kosova, po dhe nga Shqipëria”.

Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë ka arritur të fitojë shumicën e votave në zgjedhjet e 6 tetorit. Pas 14 vitesh në opozitë, partia e Albin Kurtit tashmë do të bëhet gati për të formuar qeverinë. Qytetarët e Kosovës i kanë dhënë votat për të mbajtur postin e kryeministrit, por për krijimin e qeverisë do t’i duhen një sërë negociatash për të krijuar një koalicion të qëndrueshëm. Opsioni më i mundshëm dhe që parimisht është rëndë dakord para zgjedhjeve është qeverisja me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Lëvizjet e tjera politike mund të parashikojnë edhe një konfigurim të ri të qeverisje së re të Kosovës. Ajo që tashmë është e sigurtë mbetet se Albin Kurti do të jetë kryeministri i ri dhe si i tillë do të realizojë ato që ka premtuar gjatë viteve të gjata në opozitë.

Pa hyrë në detajet e politikës së ditës në Kosovë dhe si do formohet koalicioni, por është një pikë e programit të Vetëvendosjes që e veçonte atë nga gjithë partitë e tjera në Kosovë dhe që lidhet me bashkëpunimin me Shqipërinë. Albin Kurti më herët ka folur për bashkimin mes dy vendeve dhe kjo ka qenë një çështje për të cilën ndërkombëtarët e kanë kritikuar. Në muajt e fundit nga fjalimet për bashkimin e dy vendeve, Vetëvendosja ka kaluar në idenë e bashkëpunimit më të fortë me Shqipërinë. Dhe me idenë e bashkëpunimit nuk nënkuptohen vetëm afrimet institucionale, por edhe afrimi i shqiptarëve të Shqipërisë në qeverinë e re të Kosovës. Në 3 shtator, pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti ndodhej në Tiranë për takime me studentë dhe të rinjtë.  Duke folur për mënyrën sesi do qeverisë Vetëvendosja, Kurti ka thënë hapur se qeveria e tij do të jetë e para që do të hapë dyert për shqiptarët e Shqipërisë. “Vetëvendosja do të jetë qeveria e parë që për shqiptarët do hapë dyert dhe për ne kjo është më e rëndësishme. Ne duhet të mbledhim më të mirët që kemi jo vetëm nga Kosova, por dhe nga Shqipëria, jo se janë prej këtij vendi apo atij, por sepse janë më të mirët”,– ka thënë ndër të tjera Albin Kurti rreth një muaj më parë në Tiranë.

Por cilët mund të jenë emrat nga Shqipëria që mund të jenë pjesë e kabinetit “Kurti”. Veç aktivistëve nga Shqipëria që militojnë prej vitesh në Vetëvendosje, një variant është ai i futjes në kabinet të një figure të njohur politike në Tiranë, siç është Ditmir Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm i qeverisë “Rama” është një politikan dhe diplomat që gjatë drejtimit të diplomacisë shqiptare arriti të krijojë një lidhje speciale me Kosovën. Qëndrimi i tij kundër idesë së mbështetur nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama për shkëmbimin e territoreve, si dhe projektet për hapjen e konsullatave të përbashkëta dhe lobimi pro Kosovës, janë disa nga pikat që e kanë bërë një figurë të pëlqyer në Kosovë. Këto qëndrime korrekte e afrojnë dhe me qëndrimet e Vetëvendosjes së Albin Kurtit, i cili gjithashtu ka qenë një kundërshtar i fortë i idesë së shkëmbimit të territoreve. Përvoja e Ditmir Bushatit në diplomacinë shqiptare dhe rajonale është një aset i çmuar që mund t’i shërbejë qeverisë së re në Prishtinë.

Prania e Ditmir Bushatit në qeverinë “Kurti” nuk do të ishte dhe aq e papritur. Vetë kryeministri Edi Rama ka hapur rrugën që zgjedhje të tilla të mos ngjajnë më si të jashtëzakonshme. Emërimi i Gent Cakaj dhe Besa Shahinit janë prova se përzgjedhja e ministrave nga Kosova apo Shqipëria nuk është diçka e pandodhur më parë. Ironikisht, si Caka dhe Shahini, njihen që fillesat e tyre të para në politikë i kanë pasur në Vetëvendosje. Lëvizja e Ramës me këto emërime, në një farë mënyre, ishte dhe “vjedhja” e një ideje të hershme të Albin Kurtit. Por edhe si sfidë ndaj Albin Kurtit prej Edi Ramës dhe Baton Haxhiut. Tashmë Albin Kurti do të ketë mundësinë që ato të cilat premtonte dikur t’i zbatojë në praktikë. Ndryshimi është se nëse Gent Cakaj u soll në Tiranë si një përkrahës i idesë së shkëmbimit të territoreve, Ditmir Bushatit mund të shkojë në Prishtinë si një politikan profesionist që është kundër ndarjes së kufijve.

Vetë Ditmir Bushati, në deklarimet që ka dhënë në media për një bashkëpunim mes tij dhe Vetëvendosjes në Tiranë si përfaqësues i saj, e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Por nëse Albin Kurti i qëndron premtimeve publike, do ta ketë një zgjedhje brilante Ditmir Bushatin. Jo si diversion ndaj Edi Ramës, pasi Ditmir Bushatit prapë mbetet në PS e socialist, por si një diplomat e politikan me shumë eksperiencë dhe të pa akuzuar.

Në fund të fundit edhe nëse jo Ditmiri si pjesë e kabintetit të Albin Kurtit, por në Shqipëri ka plot “ditmirë”. Ditmir Bushati përmendet si etalon korrektesie, profesionalizmi dhe me lidhje nderkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat