Rama, Vuçiq, Zaev dakordohen për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

Lajme

Rama, Vuçiq, Zaev dakordohen për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:16
Rama, Vuçiq, Zaev

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se është nënshkruar deklarata e përbashkët e 4 Lirive Themelore të Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021, të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letërnjoftime.

Vuçiq i pyetur përse në këtë takim nuk janë pjesë Kosova dhe Mali i Zi, tha se nëse lexoni deklaratën, gjithkush është i ftuar dhe nuk ka asnjë problem për këtë.

Ai shtoi se kur bëhet fjalë për lirinë e qarkullimit të shërbimeve, njerëzve, kapitalit kjo është me rëndësi kyçe edhe për Serbinë, dhe për këtë është një arsye përse këmbëngulin autoritetet serbe në heqjen e tarifës të vendosur nga Kosova.

“Qysh prej CEFTA-s nuk kemi këtë problem, megjithatë duam të kemi marrëdhënie sa më të ngushta që të jetë e mundur dhe nuk duam që të kemi kufi apo pengesa administrative, jemi të gatshëm. Ky nuk është problem për ne. Fakti që kemi dallime për marrëdhënie me Kosovën, vendet e tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Serbia nuk e ka njohur, pra kjo është një çështje tjetër. Por, kur bëhet fjalë për lirinë e qarkullimit të shërbimeve, njerëzve, kapitalit kjo është me rëndësi kyçe për ne. Kjo është arsye përse këmbëngulim për heqjen e tarifës. Jo vetëm që nuk duam të kemi probleme, por gjithashtu që të vendosim disa rregulla për të pasur këtë sistem. Presim me pa durim që të gjithë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të mblidhen bashkë, pavarësisht të gjitha dallimeve që kemi ndaj statusit që njohim apo nuk njohim. Por unë besoj që kjo është me rëndësi thelbësore për zhvillimin e gjit hë rajonit. Kur flas për këtë besoj se në qoftë se duam ta krijojmë një gjë të tillë deri në 2021, njerëzit duhet të përpiqen t’i lënë mënjanë emocionet e tyre, kjo nënkupton që të ketë më shumë investime direkte në këtë rajon”, deklaroi Vuçiq.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se çështjet e hapura midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t'i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Rama tha se kanë rënë dakord që të mbështesin parimet e një deklarate të përbashkët, titulli i së cilës i thotë të gjitha, implementimi i ‘4 Lirive Themelore të Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor’.

“Ky takim nuk synon asnjë ekskluzivitet, përkundrazi është një hap me synimin për një proces gjithëpërfshirës dhe në deklaratë flitet për Ëestern Ballkans, por nga ana tjetër ka një rrugë që e ka bërë të mundur këtë. Ka një proces që na ka angazhuar të gjithëve me mbështetjen e partnerëve tanë evropian nga ku kemi mundur të mësojmë se duhet të bëjmë më shumë pa pritur më shumë nga të tjerët. Më shumë në funksion të njerëzve tanë, në funksion të lëvizjes së lirë në këtë territor. Po ashtu në funksion të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, por edhe të kapitaleve në këtë territor", dekalroi Rama.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se në rajon duhet të përmirësohet bashkëpunimi për lartë themelore siç njihen në Bashkimin Evropian, të cilën qytetarët  e dëshirojnë që ka të bëjë me liritë, qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe natyrisht qarkullim të lirë të transportit për një përafrim ekonomik.

“Kjo do të krijoj atë që ne presim së bashku, është një Ballkan që do të respektohet definitivisht më shumë nga të gjitha rajonet e tjera të botës. Një rajon që do të jetë shumë më tepër konkurrues me të tjerët në botë dhe më tërheqës për qytetarët tanë, që të qëndrojnë këtu, të punojnë dhe të planifikojnë jetën e tyre këtu. Natyrisht kjo do të na bëjë më tërheqës për investimet e huaja të drejtpërdrejta. Pra, kemi mjaft potencial të pa shfrytëzuar që mund të shfrytëzohet dh me këtë bashkëpunim kjo do të na çoj që të kemi edhe më shumë respekt nga BE-ja. Kjo nismë përçon një mesazh për marrëdhëniet politike në rajon dhe nuk është më fuqia e barutit”, theksoi Zaev. 

Përndryshe, më 10 nëntor në Ohër do të mbahet takimi tjetër, ku do të ftohen t’i bashkohen procesit Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat