Si reaguan Handke, mediat dhe zyrtarët austriakë pasi shkrimtarit pro-Millosheviq iu dha Nobeli

Lajme

Si reaguan Handke, mediat dhe zyrtarët austriakë pasi shkrimtarit pro-Millosheviq iu dha Nobeli

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 16:23
Peter Handke

Gazeta britanike The Guardian dhe ajo austriake Der Standard në shkrimet e tyre, pasi Peter Handke u laureua me çmimin Nobel sot nga Akademia Suedeze, ia kanë përmendur shkrimtarit kontrovers austriak fjalimin në varrimin e Sllobodan Milloshevqit dhe sentimentin proserb. Der Standard e cila sjell reagimin edhe të institucioneve austriake, ka publikuar edhe reagimin e vetë Handkes, i cili pak vite më parë kishte qëndruar edhe në Kosovë.

“A është kjo e vërtetë?”, ka pyetur Handke në gjermanisht pasi Anders Olsson, kryesues i Komitetit të Nobelit, e ka telefonuar atë për t’i treguar se është fitues i çmimit prestigjioz ndërkombëtar që vitin e kaluar nuk ishte dhënë fare për shkak të një skandali seksual.

“Ai ishte shumë, shumë i prekur, mezi e nxori një fjalë nga goja”, ka thënë Olsson.

The Guardian, ndërkaq, ka publikuar reagimin e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila e ka quajtur të turpshëm dhe skandaloz vendimin e Nobelit.

Në Austri, ndërkaq, janë gëzuar. Presidenti Alexander Van der Bellen ka shkruar: “Çfarë dite! Një ditë e gëzuar – për letërsinë austriake…”.

“Urime Peter Handkes për Çmimin Nobel për Letërsi. Puna e tij është e vlefshme dhe një vizitëkartë e rëndësishme për Austrinë në botë”, ka shkruar kancelari Sebastian Kurz që ka publikuar edhe një fotografi me të.

 Po ashtu, për këtë çmimin ka reaguar edhe Ministria austriake e Kulturës.

Në vitin 2006, Peter Handke mori pjesë në funeralin e ish-liderit serb dhe të dyshuarit për krime lufte, Slobodan Millosheviqit, një figurë të cilin ai e simpatizonte pavarësisht akuzave që kishte për gjenocid.

Shkrimtari austriak një herë kishte mohuar masakrën serbe në Srebrenicë.

Pasi Peter Handke përshkroi bombardimin e Serbisë nga NATO si krim lufte, ai ishte sulmuar nga politikanët dhe mediat, një periudhë që ai e përshkroi në librin e tij “Udhëtimi nga Dugout, ose shfaqja për filmin e luftës”.

Në vitin 2006, pas kritikave për pjesëmarrjen në funeralin e Slobodan Millosheviqit, nominimi i Peter Handkes për çmimin Heinrich Heine prej 50 mijë eurove ishte anuluar nga këshilli i qytetit të Dyseldorfit. Shkrimtari më pas kishte thënë se nuk do ta pranonte çmimin. Anëtarë të ansamblit të Berlinit e quajtën anulimin e çmimit si “sulm ndaj lirisë artistike” dhe iniciuan “Çmimi Heinrich Heine Berlin” që arriti të grumbullonte të njëjtat të holla, por që Peter Handke nuk i pranoi, duke kërkuar që të hollat të dhurohen për enklavat serbe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat