Kush është Zhelko Bojiq, dhe cilat janë lidhjet e tij me kriminelët Veselinoviq dhe Radojeçiq

Lajme

Kush është Zhelko Bojiq, dhe cilat janë lidhjet e tij me kriminelët Veselinoviq dhe Radojeçiq

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 12:06
Zhelko Bojiq, Veselinoviq dhe Radojeçiq

Një dosje e përpiluar nga hetues të EULEX-it para disa vitesh, dëshmon për veprimtarinë e Zhelko Bojiqit, në veri të vendit në mbrojtje të kriminelëve serbë. Bojiq që tash mbanë pozitën e shefit të operativës në pjesën veriore, dikur zyrtarisht ishte rreshter, por luante rolin kryesor për negocimin mes kriminelëve Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojciq, me ish-komandantin e veriut Milija Milosheviq dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës. Bojiq që tash dyshohet për fshehje të provave për vrasjen e Oliver Ivanoviq, sot i shpëtoi arrestimit nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit, ka dështuar të arrestojë personin kryesor të kërkuar, Zhelko Bojiq- shef i operativës në pjesën veriore, i cili dyshohet për fshehjen e provave në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Bojiq i shpëtoi këtij aksioni pasi që nuk gjendej në vendet e kërkuara nga policia, por u arrestua djali i tij, Velko Bijiq, të cilit iu gjetën armë dhe municion. Ai u lirua pas intervistimit.

Raportohet se Bojiq, nuk ndodhej në banesë kur policia shkoi ta arrestonte, pasi që ai ndodhej për pushime në qytetin e Budvas në Mal të Zi.

Por kush është Zhelko Bojiq dhe cila është afërsia e tij me dy kriminelët e veriut?

Zhelko Bojiq, që zyrtarisht mbanë pozitën e shefit të operativës në Mitrovicën e Veriut, për veç që është i dyshuar për fshehjen e provave të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ai ka lidhje me dy kriminelët më të famshëm të veriut, Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojciq. Cili ishte roli i tij, në skenarët e krimit në veri?

Një përgjigje zyrtare e jep një raport i detajuar që është hartuar nga hetues të EULEX-it, shkruan Insajderi.

Sipas kësaj dosje të hetuesve të EULEX-it, në vitin 2009 në veri ishte arritur një marrëveshje në dobi të kontrabanduesve e në dëm të vendit.

Ish-komandanti i stacionit Policor në veri të Mitrovicës, Milija Milosheviq ishte bërë garantues i kriminelëve më të mëdhenj atje. Në këmbim të veprimtarisë kriminale pa pengesë, Milosheviq i njohur si “Piksi” përfitonte pagë mujore të rregullt, vetura, pushime verore në Budva, dreka e darka. Dikush i paguante 300 euro në muaj, dikush 400, ndërsa Zvonko Veselinoviq ishte donatori më i madh. Në këtë mënyrë, kontrabanda e naftës, alkoolit, drogës e armëve zhvillohej pa ndonjë pengesë serioze në veri të Kosovës.

Në dosjet e hetuesve të EULEX-it të cilat ishin publikuar shihet se Milosheviq kishte pasur përcjellje të afërt nga kolegët e tij ndërkombëtar. Dinin gjithçka për të, sikurse edhe autoritetet përgjegjëse të Prishtinës. Mirëpo kurrkush nuk e pengonte derisa doli hapur duke e thyer zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës.

Kur bashkëpunëtorët e tij arrestohesh nga policë serb të Kosovës, ndërhynte Milosheviq. Zhdukte raportet dhe bllokonte hetimet. Bile në një rast i kishte kthyer armën e zënë pa leje, djalit të njërit prej liderëve të veriut.

Në veprimtarinë ilegale të Milosheviqit një rol të rëndësishëm kishte Zhelko Bojiq. Ai zyrtarisht mbante pozitën e rreshterit, por në raportet mes Miloshevicit, me Veselinovicin dhe Radoiciqin, ai bënte edhe postierin e parave dhe “negociuesin” kur ata përfshiheshin në vepra kriminale, për shkak të afërsisë që kishte me ta.

Në një rast tjetër Bijiq kishte negociuar edhe me prokuroren shqiptares Vahide Badivuku, e cila kishte urdhëruar arrestimin e Veselinovicit dhe Radoiciqit.

Sipas EULEX-it, Milosheviqi merrte rregullisht të holla për pushime verore nga Zvonko Veselinoviq përmes rreshterit Zhelko Bojiq.

Në raportin e EULEX-it, përmendej edhe një rast që kishte ndodhur me 06 prill 2009, kur Milan Radiociq po ngiste makinën e tij të bardhë “Range Roover” sport në Mitrovicë. Me të sipas një raporti ishte përpjekur ta godiste me qëllim një makinë policie të stacionit në veri të Mitrovicës.

Policët e kishin informuar komandantin e stacionit Milija Milosheviq për këtë incident, por kur emri i Milan Radiociq ishte përmendur, Milija Milosheviq u kishte thënë policëve se do të kërkonte nga Zelko Bojiq të flas me Milan Radiociqin, sepse sipas tij kishte marrëdhënie të mira më të. Asnjëherë nuk u hap ndonjë rast për këtë ngjarje, gjithçka përfundoi me vetëm një deklaratë nga Milan Radiociq, për këtë shkruhej në raportin e EULEX-it.

Sipas dosjeve të EULEX-it, Bojiq edhe një herë ishte përfshi në negocimin mes kriminelve të veriut dhe institucioneve të Kosovës.

Më 30 korrik 2009, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radiociq kishin kërcënuar verbalist me vdekje një polic serb të Kosovës derisa ishte në detyrë.

Pasi ishte hapur një hetim zyrtar, prokurorja publike në detyrë, Vahide Badivuku u kishte dhënë udhëzime hetuesve për të arrestuar dy të dyshuarit dhe për t’i dërguar te ajo. Kjo nuk kishte ndodhur.

Pak ditë më vonë, pra në fillim të gushtit 2009, Zhelko Bojiq dhe Milan Ristoviq të dy zyrtarë të Policisë së Kosovës të caktuar në Task Force në veri të Mitrovicës ishin parë në jug të Mitrovicës së bashku me Vahide Badivukun. Prokurorja ishte ulur brenda automjetit Golf 5 të Policisë së Kosovës duke negociuar me ta.

Sipas EULEX-it, Zhelko Bojiq dhe Milan Risteviq kishin një takim jozyrtar me prokuroren për të negociuar në emër të Zvonkos me qëllim që të përcaktimit të gjykatësit për të minimizuar dënimin, para arrestimit.

“Më 14 gusht 2009 Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojeciq u dorëzuan në Polici me vetiniciativë. Gjatë marrjes së deklaratës hetuesit kontrolluan bazën e të dhënave përmes zyrtarit të tyre për operativë dhe kuptuan Zvonko Veselinoviq është i kërkuar sipas një urdhërese gjyqësore për veprat penale që daton nga 2003 dhe duhet të sillet në Gjykatën Komunale në Mitrovicë. Po ashtu edhe Miloan Radiociq duhet të paraqitet në Gjykatën Komunale në Prishtinë me qëllim të njoftimit të vendimit me të cilin ai u dënua me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë”, shkruan në dosje. “Në këtë pikë komandanti i stacionit Milia Milosheviq ka ndërhyrë dhe ka dhënë urdhër hetuesve për lirimin e dy të dyshuarve pas marrjes së deklaratave të tyre”.

Raporti i EULEX-it, konkludonte se shumë incidente në veri të Mitrovicës, ilustronin faktin se kriminelët e kësaj pjese nuk mund të hetoheshin e as të arrestoheshin nga Policia e Kosovës.

“Incidentet e përmendura më parë ilustrojnë faktin se kriminelët e njohur që veprojnë në Mitrovicën e Veriut janë të mbrojtur nga çdo hetim dhe arrestim nga zyrtarët e Policisë së Kosovës të stacionit policor në veri”, shkruan në konkluzionin e raportit.

“Në veçanti nga komandanti i stacionit Milija Milosheviq, shefi i grupit të ashtuquajtur Task Forcës, rreshteri Zhelko Bojiq, oficeri policor Pegrad Bogosavleviq, pjesëtarët e njësisë së inteligjencës rajonale në Mitrovicë dhe shumë të tjerë. Informacione të besueshme tregojnë se Pegrad Bogosavleviq është paguar në mënyrë të rregullt për shërbimet e tij nga Milan Ivanoviq, një nga togerët e Zvonko Veselinoviqit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat