Zv/ministri Burim Ramadani me veturë 3Z në ndeshjen Feronikeli - Ballkani

Lajme

Zv/ministri Burim Ramadani me veturë 3Z në ndeshjen Feronikeli - Ballkani

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 20:43
Burim Ramadani

Burim Ramadani, zëvendësministër i Mbrojtjes, me veturë zyrtare ka shkuar në Drenas, për ta përcjellë skuadrën nga Suhareka, tifoz i së cilës është, pasi edhe vjen nga kjo komunë.

Ai ka qenë në një ‘xhip’ të zi, që mbante targat 3Z-004-04. Me të ndodhej edhe shoferi.

I kontaktuar nga media Ramadani ka thënë se nga puna kishte shkuar në disa aktivitete zyrtare e pastaj edhe për ta shikuar lojën.

“Kam qenë rrugës edhe kam shku e kam shiku lojën. Kam pas edhe punë tjera, prej punës kam shkuar në disa aktivitete zyrtare, e pastaj kam shku e kam shiku edhe lojën”, ka thënë ai.

Ish-gazetari Ramadani është zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Ramush Haradinajt, e cila ndodhet në ditët e fundit të mandatit që është duke e përmbyllur para kohe.

Qeveria njihet për numrin rekord të zëvendësministrave dhe për shpenzimet e mëdha që ka bërë armata e të emëruarve politikë.

Saktësisht 1,751.80 euro, Ramadani kishte shpenzuar për karburante vetëm gjatë vitit 2018. E dhëna ndodhet në një pasqyrë shpenzimesh që muaj më parë Ministria e Mbrojtjes ia kishte vënë në dispozicion medias. Më pas, gazeta ka kërkuar qasje edhe në shpenzimet e bëra gjatë gjysmëmandatit për secilin të emëruar, por Ministria e Mbrojtjes ka ofruar të dhëna komulative që nuk tregojnë shpenzimet e të emëruarve veç e veç.

Bazuar në përgjigje, për më pak se dy vite, stafi politik i Ministrisë ka shpenzuar për karburante mbi 25 mijë euro.

Ramadani nuk e ka pritur vërshëllimën e fundit në Drenas. Pak minuta para se të përfundonte ndeshja, ai ka ikur, duke e lënë Ballkanin tek avanconte si mysafir kundër Feronikelit.

Pas ndeshjes, zëvendësministri ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“SuperBALLKANI. Krenar me ekipin e zemrës, ekipin e fëmijërisë”, ka shkruar ai. “BALLKANI udhëton drejt titullit të SuperLigës. Me mund e me angazhim. Herët është ende, por të duam BALLKAN në fitore e humbje”.

Me këtë rezultat, skuadra nga Suhareka përforcon pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa kampioni në fuqi vazhdon të mbetet në krizë për rezultate, edhe pas ndryshimeve që këtë javë bëri në shtabin teknik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat