Vuçiq arsyeton masat e Kosovës ndaj Serbisë, thotë se do i bllokojë hyrjen në UNESCO - Bota Sot
Vuçiq arsyeton masat e Kosovës ndaj Serbisë, thotë se do i bllokojë hyrjen në UNESCO

Lajme

Vuçiq arsyeton masat e Kosovës ndaj Serbisë, thotë se do i bllokojë hyrjen në UNESCO

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 19:59
Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përsëri ka thënë se do të bllokojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Vuçiq, duke mbajtur një fjalim në konferencën e 40’të të UNESCO’s në Paris, nuk e la pa e përmendur Kosovën duke thënë se ajo nuk mund të bëhet anëtare e asaj organizate ndërkombëtare.

“Ne kemi marrëdhënie të mira me UNESCO’në dhe nuk ka frikë askush se mund të prishet rendi që në UNESCO të anëtarësohen vetëm vendet e njohura ndërkombëtarisht”, tha Vuçiq në një mbledhje ku nuk bëhej fjalë fare për anëtarësimin e shteteve të reja.

Vlen të përmendet se Kosova është e njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës.

“Kjo do të thotë se jam i bindur që Kosova nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s dhe se Serbia në këtë organizatë shumë domethënëse gjithmonë do të arrijë të mbrojë interesat e saj në të ardhmen”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Ndryshe, ishte pikërisht fakti që Serbia po mundohet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare që dërgoi deri në vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve të ardhura nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në vend.

Edhe nga VV, që kanë fituar zgjedhjet kombëtare dhe pritet të formojnë qeverinë e re, kanë premtuar reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat