‘Nuk udhëtonin bashkë nga frika mos vdisnin’, historia prekëse e vëllezërve Abazi

Lajme

‘Nuk udhëtonin bashkë nga frika mos vdisnin’, historia prekëse e vëllezërve Abazi

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 09:23
Vëllezërit Abazi

Dy ndër viktimat e tërmetit të 26 Nëntorit, janë vëllezërit Abazi nga Gjilani. Ata kishin ardhur në Durrës për punë dhe hotel ‘Tropikali’ ku po qëndronin u shemb nga lëkundjet e forta. Vëllezërit humbën jetën duke lënë pas gjashtë jetimë.

Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç. Isai kishte humbur punën dhe për të mos lënë vetëm vëllain e tij të madh dhe me shpresën mos gjente punë, ishte nisur bashkë me të për në Durrës dhe kishin udhëtuar në një makinë. Babai i tyre ka treguar se vëllezërit asnjëherë nuk kishin udhëtuar së bashku në një makinë nga frika mos vdisnin të dy njëkohësisht por ndonëse jo nga një aksident automobilistik, vëllezërit u shuan pranë njëri-tjetrit nga tërmeti i 26 Nëntorit, duke lënë pas prindërit, nuset dhe gjashtë fëmijët e tyre.

Për ‘Shqiptarja.com’ familjarët kanë treguar:

“Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, ka treguar babai i vellezerve.

“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë. Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e dytë të pajetë, Shemsedinin”, është shprehur një kushëri i vëllezërve, Sabri Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat