Gjuriq i kërkon BE-së të deklarohet se a është pro a kundër burgimit të Todosijeviqit që mohoi Reçakun

Lajme

Gjuriq i kërkon BE-së të deklarohet se a është pro a kundër burgimit të Todosijeviqit që mohoi Reçakun

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 14:18
Marko Gjuriq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i bëri thirrje BE-së sot të deklarojë qartë nëse mbështet futjen e torturës verbale dhe ndalimin e lirisë së shprehjes për serbët në Kosovë dhe nëse ish-ministri Ivan Todosijeviq është viktimë e një aparteidi të ri politik.

“Në bazë të një deklarate të Zyrës së BE në Prishtinë, mund të konkludojmë se linçimi që po zhvillohet kundër Ivan Todosijeviq, i cili u dënua me dy vjet burgim vetëm për të thënë të vërtetën dhe guxoi të thoshte se Reçaku ishte një shkak i rremë i agresionit të paligjshëm, se organizata e UÇK-së ishte terroriste dhe se ajo që ndodhi në Reçak nuk ishte genocid apo masakër”, tha Gjuriq në një konferencë për shtyp, shkruan Tanjug.

Po ashtu edhe Ministri i Mbrojtjes Alexander Vulin sot i bëri thirrje Bashkimit Europian të përmbahet nga deklaratat “e nxituara dhe të dhimbshme” në lidhje me çështjen e Reçakut.

“Si një organizatë që nuk është kompetente për të dhënë gjykime ligjore dhe konkluzione historike, BE-ja do të ndihmonte shumë pajtimin dhe paqen në rajon nëse organet dhe zyrtarët e saj të përmbahen nga bërja publike e pikëpamjeve që mund të jenë nxitëse”.

Zyrtarët e lartë serbë në përditshmëri po bëjnë deklarata duke e quajtur Masakrën e Reçakut një gënjeshtër dhe falsifikim.

Për këtë ka pasë reagime të shumta nga liderët politikë në Kosovë duke i quajtur ata propagandues të Millosheviqit. Gjithashtu ka reaguar Presidenca e Shqipërisë duke thënë se “gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë kurrë”.

Ivan Todosijeviq është dënuar për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” sa ishte në krye të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat