Hoti: Mbesim të hapur për marrëveshje, e tejkalojmë edhe letrën e Kurtit

Lajme

Hoti: Mbesim të hapur për marrëveshje, e tejkalojmë edhe letrën e Kurtit

Më: 16 janar 2020 Në ora: 21:26
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së, ka deklaruar se janë të gatshëm të tejkalojnë letrën e Kurtit, dhe mbesin të hapur për një marrëveshje me Vetëvendosjen.

Hoti thotë se dëshironin një marrëveshje që do të krijonte stabilitet katër vjeçar.

“Ne insistojmë për një marrëveshje që krijon stabilitet për katër vite. Ne kemi kërkuar kryeparlamentarin, kurse VV-ja dy nënkryetarët. Assesi nuk kemi pasur mundësi të dakordohemi për presidentin që është nonsens. Marrëveshja që ata propozonin për presidentin tregonte se ne do të shkonim në zgjedhje më 2021. Besoj se jemi sjellë korrekt deri më tani dhe do të vazhdojmë të sillemi njëjtë”, ka thënë Hoti.

Ai thekson se letra e Kurtit ishte e panevojshme.

“Nëse Mustafa do të sillej si Kurti do të shkruanim një letër të tillë, që është një pamflet. Unë besoj se duhet të ruajmë respektin ndaj njëri-tjetrit edhe kur nuk pajtohemi. Kjo letër është e panevojshme dhe shumë e papërshtatshme. Nuk ka kuptim kjo formë e komunikimin ndërmjet dy partive që synojnë të qeverisin. Nuk do t’i përgjigjemi, pasi kjo nuk meriton përgjigje. Pavarësisht kësaj Mustafa është deklaruar se ne mbesim të hapur për arritjen e marrëveshjes, pasi kjo letër nuk është konsideruar serioze”, shprehet ai.

Hoti insiston se respekti duhet të ruhet.

“Le të supozojmë se edhe nuk arrijmë marrëveshje, por respekti duhet të ruhet dhe nuk duhet të komunikohet në atë mënyrë. Ne kemi kaluar si LDK edhe barriera shumë më të mëdha për të gjetë një gjuhë të komunikimit në interes të qytetarëve. Më lehtë për ne do të ishte që të qëndronim në opozitë. Ne kemi pranuar të bashkëpunojmë me ta edhe duke e ditur historikun kur kreu i LDK-së ka qenë i sulmuar, e ne e tejkalojmë edhe këtë letër dhe të lëmë derën hapur për një marrëveshje”, u shpreh Hoti.

Ai shton se do të shkonin në një takim nëse ftohen nga Vetëvendosje, por vetëm për të nënshkruar marrëveshjen që kanë propozuar.

“Besoj se do të shkonim nëse na fton z. Kurti. Nëse Vetëvendosje e pranon ofertën tonë atëherë e nënshkruajmë atë. Kemi biseduar shumë gjatë. Nëse VV-ja dëshiron koalicion me LDK-në kjo është forma që ne e shohim, e si merren vesh ata brenda partisë është punë e tyre. Nuk e shoh se si mund të punojmë bashkë nëse nuk merren parasysh këto parime që ka kërkuar LDK-ja, ndryshe nuk e shoh se si mund të punojmë. Ne kemi hyrë që të kemi një balanc të përgjegjësive. Nuk është në dorën tonë se kur Kurti e merr mandatin”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat