Murat Jashari në Gjykatë: Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë

Lajme

Murat Jashari në Gjykatë: Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë

Më: 17 janar 2020 Në ora: 16:01
Murat Jashari në Gjykatë

(E plotësuar) - Seanca për fjalën përfundimtare në rastin “Syri i Popullit”, e cila ka vazhduar edhe sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka përfunduar me replika në mes të prokurorit speciale të rastit, Sylë Hoxha, avokatit të të akuzuarit, Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi dhe vetë të akuzuarit, Sadri Ramabaja. Kurse, vendimi përfundimtar për rastin do të merret më 22 janar 2020, duke filluar nga ora 09:30.

Deri tek replika erdhi pasi që gjatë ditës së premte Ramabaja në fjalën e tij përfundimtare tha se rasti “Syri i Popullit” është krijuar nga klani “Pronto”, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Pas kësaj, prokurori special i rastit, Sylë Hoxha përmes replikës së tij tha se ky trup gjykues ka pasur shumë durim në këtë rast. Ai derisa u ankua në fjalën përfundimtare të ditës së djeshme dhënë nga avokati, Ramiz Krasniqi tha se më shumë ishte një fjalim politik dhe fyes për sistemin e drejtësisë në Kosovës.

Disa fjalë i pati edhe për fjalën përfundimtare të të akuzuarit, Sadri Ramabaja, për të cilën tha se më shumë e shfrytëzoi për t’u promovuar si intelektual, sesa për t’u mbrojtur.

Hoxha tha se gjatë fjalës përfundimtare i akuzuari, Ramabaja e kishte quajtur “prokuror i UDB-së dhe i klanit ‘Pronto”, dhe këto i hodhi poshtë, duke thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Hoxha: Ramabaja përdori fjalë ofenduese për sistemin e drejtësisë

“Gjatë fjalës së tij i akuzuari përdori fjalë ofenduese, jo vetëm  ndaj sistemit prokurorial dhe gjyqësor, sistemit të drejtësisë dhe sistemit aktual politik në Kosovë, por u morë edhe me disa insinuata të tij, që siç i pamë edhe në fjalën e tij është shumë specialist për një gjë të tillë, duke më quajtur ‘i UDB-së, i klanit Pronto’, pastaj përmend se kjo aktakuzë është ngritur nën diktatin e klanit Pronto dhe të SHIK-ut, asgjë prej këtyre nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam mendjen të promovohem t’i tregoj asnjërit nga të akuzuarit se kush kam qenë dhe kush jam. Për një moment kur nuk kam mundur të dëgjojë, e drejtojë gishtin nga unë përmes jush, po ua bëjë me dije secilit të akuzuar këtu edhe Sadri Ramabajës, nuk e kam mendjen me iu frikësua askujt, nuk iu kam frikësuar regjimit serb, e kam kryer punën dhe aktivitetin tim si qytetar i Kosovës”, tha ai.

Kurse, në replikën e tij mbrojtja e të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi tha se është e vërtet se fjalimi i tij ka qenë politik, pasi që edhe vetë kjo aktakuzë është politike, madje edhe vetë prokurori, Hoxha është i ndikuar nga klani  “Pronto”.

Krasniqi: Prokurori ka qenë i ndikuar shumë nga klani “Proto”

“Prokurori ua tërhoqi vërejtjen trupit gjykues se na paska duruar shumë. Unë pajtohem që na ka duruar shumë, unë pajtohem me prokurorin se vërtet ky trup gjykues ka duruar shumë, derisa e ka duruar një aktakuzë tepër të dobët, tepër jo profesionale. Prokurori thotë se nuk është i ndikuar, unë them se ky nuk është i ndikuar pak, por është ndikuar shumë madje e nderuar gjykatë prokurori prezent është tejet i ndikuar nga klani ‘Pronto’. Unë e nderuar gjykatë, i them prokurorit se qëndrimi i tij ndaj dëshmitarëve që ky i ka kualifikuar si të dëmtuar ka qenë përkulje ndaj tyre”, tha ai.

Ndërsa, vetë i akuzuari, Sadri Ramabaja e ka quajtur si analfabet juridik prokurorin e rastit, Sylë Hoxha.

Ramabaja: Niveli im akademik nuk ma lejon të komunikoj me analfabet juridik

“Segmente të veçanta të gjyqësorit tonë kanë ndikim nga ish UDB-ja dhe këto do i sqaroi vettingu. Duhet të ndalem tek vetëm dy pika sepse pozicioni im, por edhe nderi im akademik nuk më lejon të ulem të komunikoj dhe të polemizoj me analfabet juridik”, u shpreh Ramabaja.

Gjatë kësaj seance të fjalës përfundimtare avokati Asdren Bytyçi që përfaqëson të akuzuarin, Murat Jashari, ka thënë se ekipi i ekspertëve të forenzikës të psikiatrisë të Zvicrës kanë  rekomanduar që për shkak të situatës shëndetësore i akuzuari, Jashari të trajtohet në shtetin e Zvicrës.

Bytyçi ka thënë se gjykata duhet të marrë aktgjykim lirues dhe që Jashari të lihet i lirë për trajtim në Institutin e Zvicrës ku është trajtuar qysh nga viti 2000.

Më pas, i akuzuari Murat Jashari ka kërkuar të flasë ku tha se listën se kush duhet të vritet e ka bërë ai dhe se asnjë nga të akuzuarit që janë këtu nuk kanë pasur të bëjnë me planet e tij.

Jashari: Listën se kush duhet me u vra e kam bërë unë

“Listën se kush duhet me u varë e vrarë e kam bërë unë, askujt nuk ia kam dhënë për ta lexuar, i  kam shkruar disa letra, një për Bexhet Luzhën dhe Ismet Bexheti, një për  Ramadan Behlulin me pseudonimin Besniku, sinonim i besnikërisë... Këta nuk kanë pasur të bëjnë kurrë njëherë me planet e mija... Kush e ka shkruar komunikatën duhet të tregojë vetë Sylë Hoxha, në emër të ‘Syrit të Popullit’ kush ka shkruar duhet zbuluar prokurori special”, tha i akuzuari.

I pari i cili gjatë kësaj seanca e tha fjalën e tij përfundimtare ishte i akuzuari, Bexhet Luzha, mbrojta e të cilit tha se nuk ka prova që i akuzuari i tij është pjesë e kësaj organizate.

Ndërsa, vetë Luzha tha se asnjëherë nuk ka vepruar kundër vendit, madje ka qenë larg vëllavrasjeve.

Kurse, avokati mbrojtës i të akuzuarit Halim Halimi, Ragip Zeneli, e ka cilësuar këtë aktakuzë si të përgjithësuar dhe të bazuar në supozime dhe fiksione.

Zeneli tha se nga 61 persona që kanë dhënë dëshminë e tyre në procesin gjyqësor “Syri i Popullit”, asnjëri prej tyre nuk e ka njohur të mbrojturin e tij.

Kurse, i akuzuari në këtë rasti Halim Halimi në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk e brengos aktakuza dhe as manipulimi që po i bënë shteti.

Në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari, Rexhep Toplana tha se në asnjë rrethanë nuk ka qenë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”, madje ai tha se asnjë nga të akuzuarit nuk i ka njohur më parë. Mbrojtja e tij, avokati Rrahman Kastrati tha se gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor nuk janë siguruar prova që vërtetojnë se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penal me të cila ngarkohet.

Në seancën e djeshme të fjalës përfundimtare të rastit “Syri i Popullit” fjalën e tyre e thanë i akuzuari, Sadri Ramabaja dhe avokati i tij, Ramiz Krasniqi, i akuzuari, Ragip Sallova dhe mbrojtja e tij Arsim Bilalli, si dhe i akuzuari, Avni Llumnica dhe avokati i tij Ahmet Ahmeti.

Gjatë seancës së djeshme Prokuroria Speciale e Kosovës në mungesë të provave ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha, kurse për shtatë të akuzuarit e tjerë ka kërkuar të shpallën fajtor, përveç të akuzuarit, Murat Jashari, për të cilin kërkoi trajtim psikiatrik.

Kujtojmë që në procesin gjyqësor “Syri i Popullit” janë të përfshirë 10 persona Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha për vepra penale “përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, te akuzuarit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore dhe ish-funksionarëve të viteve 1980-1991, duke i cilësuar si tradhtarë të vendit.

***

Ka perfunduar seanca për fjalën përfundimtare në rastin "Syri i Popullit".

Ndërsa vendimi përfundimtar për rastin do të jepët më 22 janar duke filluar nga ora 09:30.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës edhe sot ka vazhduar seanca ku të akuzuarit po japin fjalën përfundimtare të të akuzuarve në rastin e njohur si "Syri i Popullit".

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Dje prokurori Sylë Hoxha e ka dhënë fjalën e tij përfundimtare duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka hequr dorë nga ndjekja penale për Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.

Image

Murat Jashari në Gjykatë: Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë

Avokati Asdren Bytyqi që përfaqëson të akuzuarin, Murat Jashari ka thënë se ekipi i ekspertëve të forenzikes të psikiatrisë ka rekomanduar që për shkak të situatës shëndetësore të trajtohet në shtetin e Zvicrës.

Jashari ka kërkuar të flasë ani pse mbrojtja e tij për shkak të gjendjes shëndetësore sipas gjykatës nuk ka rekomanduar të flasë.

Megjithatë Jashari e pranon se “listën e vdekjes” e ka bërë ai, por që nuk ia ka dhënë askujt ta lexojë.

“Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë. Askujt nuk ja kom jep me lexuar. I kam shkruar disa letra, këta në sallë nuk kanë pasur të bëjnë me planet e mija”, ka thënë ai.

Përfundon gjykimi në rastin “Syri i Popullit”, ja kur shpallet vendimi

Prokurori special, Sylë Hoxha që e përfaqëson në këtë gjykatë këtë aktakuzë ka bërë një adresim të gjatë para trupit gjykues.

Ka thënë se ky trup gjykues ka pasur shumë durim në këtë rast. Është ankuar në fjalën përfundimtare të ditës së djeshme dhënë nga i akuzuari, Sadri Ramabaja e avokatit Ramiz Krasniqi.

Ka thënë se Ramabaja dje i ka drejtuar gishtin. Ka deklaruar që nuk frikësohet.

“Me ka thënë fjalë të rënda.... I UDB-së, prokuror i ‘Prontos’”, ka thënë ai.

Avokati Ramiz Krasniqi ka thënë se replika e prokurorit, Sylë Hoxhes është gjykimi i Sadri Ramabajes, raporton Koha Ditore.

“Prokurori me akuzoi që unë kam mbajt fjalim politik. Është e vërtetë sepse aktakuza ishte politike”, ka thënë ai.

Ka ripërsëritur se prokurori Hoxha është politik.

“Prokurori thotë se nuk është i ndikuar politikisht. Unë them se nuk është i ndikuar pak por është i ndikuar shumë”, ka thënë ai.

Vetë i akuzuari Ramabaja ka mohuar t’i këtë thënë pjesë e UDB-së prokurorit. Por e ka quajtur ‘analfabet juridik’.

Gjykimi ka përfunduar. Të mërkurën në ora 9:30 do të shpallet vendimi për këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat