“Kthimi të diplomuarve nga jashtë” – sa të rinj në Kosovë me diploma janë të papunë?

Lajme

“Kthimi të diplomuarve nga jashtë” – sa të rinj në Kosovë me diploma janë të papunë?

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 17:16
Diploma

Përvjetori i 12-të i Pavarësisë, e gjen Kosovën me mbi 70 mijë qytetarë të papunë. Në mesin e tyre ka edhe të diplomuar. Sipas statistikave të Ministrisë së Punës, në gjithë vendin janë rreth 8 mijë e 500 të rinj që kanë përfunduar studimet Bachelor dhe Master, por që aktualisht janë të papunë. Megjithë këto, statistika të papunësisë, kryeministri Kurti dje ka përmendur mundësinë që t’u kërkojë të rinjëve që kanë diplomuar jashtë të kthehen në Kosovë.

Diplomat universitare nuk po u shërbejnë kosovarëve që të punësohen. Pavarësisht shkollimit, një numër i madh i tyre vazhdojnë që të figurojnë në listën e të regjistruarve si të papunë.

Sipas statistikave nga Ministria e Punës, aktualisht në gjithë vendin janë të papunë mbi 70 mijë kosovarë. Shumica e tyre janë meshkuj.

“Numri i të papunëve të regjistruar është 70 mijë e 790. Prej tyre, 32 mijë e 382 janë femra dhe 38 mijë e 408 meshkuj”, kanë deklaruar nga Ministria.

Në këtë institucion kanë dhënë detaje edhe për shkollimin e të papunëve. Disa prej tyre edhe pse i kanë të përfunduara studimet universitare, nuk kanë arritur që të gjejnë një vend pune.

Statistikat e Ministrisë

E pavarësisht ankesave se nuk ka vende të lira pune, sipas ministrisë në gjithë vendin janë aktualisht rreth 16 mijë vende të lira pune.

Më së shumti vende të lira pune ka në industrinë përpunuese, bujqësi dhe tregti. Vetëm në këta tre sektorë, aktualisht janë afër 10 mijë vende të lira pune.

Në Odën Ekonomike të Kosovës deklarojnë se ka mospërputhje në mes të nevojave të tregut të punës dhe asaj se çka ofron sistemi arsimor në vend.

Kryetari i OEK’ut, Berat Rukiqi, i ka thënë se të rinjtë kosovarë nuk janë të gatshëm që të hyjnë në punë, menjëherë pas përfundimit të studimeve dhe se kompanive po iu duhet të organizojnë trajnime ekstra për t’i përgatitur për punësim.

“Diploma është vetëm kualifikim formal, nuk është kualifikim edhe për vend pune edhe realisht kjo pastaj e bën më të vështirë për kompanitë që t’i punësojnë menjëherë. Në shumë raste, kompanitë organizojnë ekstra trajnime, të cilat kanë kosto edhe financiare por edhe në kohë për kompaninë”, ka thënë Rukiqi.

Sipas Rukiqit, sistemi arsimor nuk po i përshtatet ndryshimeve që po ndodhin në ekonomi, duke bërë kështu që as vendet e lira të punës të mos mund të plotësohen.

“Në anën tjetër po shihet se ka një transformim të madh në ekonomi dhe kjo nuk po përcjellët edhe me transformim të sistemit arsimor, që me iu përshtat këtyre ndryshimeve që ndodhin globalisht, jo vetëm në Kosovë.  Ka një paradoks të madh, shifra të lartë të papunësisë dhe në të njëjtën kohë vende pune që nuk po mbushen, pra nuk po plotësohen as me të kualifikuar. Kjo është ankesë që vjen nga bizneset”, ka deklaruar Rukiqi.

Ndërkohë, fajin se pse kosovarët e diplomuar nuk po arrijnë që të gjejnë punë, njohësit e arsimit po ua lënë institucioneve arsimore, derisa thonë se ndikim ka edhe ekonomia.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci, i kishte thënë se arsyeja kryesore që kosovarët nuk po arrijnë të gjejnë punë qëndron te ekonomia.

Deklaronte se problem tjetër qëndron edhe te Institucionet e Arsimit të Lartë, që sipas tij nuk po i pajisin studentët me shkathtësitë që i kërkon tregu i punës.

“Arsye kryesore është ekonomia, e cila nuk gjeneron vende të punës aq sa ka kërkesë. Tjetër arsye, është edhe numri i madh i të diplomuarve në arsimin e lartë. Është vendi i tetë në botë për nga pjesëmarrja, dhe ekonomia në gjendjen në të cilën është nuk mund t’i absorbojë të gjithë të diplomuarit”, kishte thënë Pupovci.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën e njohur zvicerane “Blick”, ka thënë se do t’i kushtohet prioritet arsimit, sepse sipas tij Kosova nuk e ka të harmonizuar tregun e punës me arsimin.

“Mbi 90 përqind e ndërmarrjeve nuk i kanë të punësuar mbi 10 punëtor që janë të kualifikuar. Kjo po iu kushton shumë atyre sepse po duhet të paguajnë punëtor që nuk janë të kualifikuar. Ne duhet të punojmë që të harmonizojmë tregun e punës me nevojat dhe kërkesat e ndërmarrjeve”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se do t’i sjellin njerëzit e diplomuar nga jashtë dhe të iu japin hapësirë në shërbim të vendin.

 “Ne kemi diasporë të madhe dhe të fuqishme. Mundësia për të investuar në Kosovë do të ndihmonte ekonominë e vendit. Kjo arrihet kur ne të krijojmë një ambient të barabartë, duke luftuar krimin dhe korrupsionin”-tha ai.

“Ne duhet të sjellim njerëzit e diplomuar nga jashtë, të ju japin hapësirën e duhur në shërbim të vendit”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat