Daçiq: Për të mirën e të gjithëve, taksa duhet të hiqet dhe të vazhdohet dialogu

Lajme

Daçiq: Për të mirën e të gjithëve, taksa duhet të hiqet dhe të vazhdohet dialogu

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 18:44
Ivica DaçiqIvica Daçiq

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka kërkuar heqjen e taksës nga Kosova dhe vazhdimin e dialogut.

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se pret që Kosova të heq taksën ndaj Serbisë të vendosur në nëntor të vitit 2018, në mënyrë që siç tha ai, të vazhdohet dialogu mes të dy shteteve.

Siç shkruan “Rts.rs”, transmeton lajmi.net, Daçiq ka thënë se Serbia dëshiron që taksa të hiqet sa më shpejt që është e mundur  në mënyrë që sa më parë të rifillojë dialogu me Kosovën.

“Vazhdimi i dialogut është në interes të të gjithëve, jo vetëm në interes të Beogradit por edhe të Prishtinës”, theksoi Daçiq, kur u pyet nga gazetarët rreth deklaratës së kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte thënë se taksa duhet të hiqet dhe të vendoset masa e reciprocitetit.

Por sipas Daçiqit, kjo deklaratë e Mustafës, tregon se ka shumë qasje të ndryshme në Kosovë në lidhje me taksën dhe se sipas tij, “ nga Isa Mustafa e deri tek të gjithë ata që mendojnë se taksa nuk duhet të hiqet, thjesshtë po kërkojnë një alibi të re pse taksa të mos hiqet”, u shpreh Daçiq.

Ai vuri në dukje se çështja e heqjes së taksës është kthyer në çështje aktuale në ditët e fundit edhe nga zyrtarë amerikanë, gjermanë, francezë, por edhe nga përfaqësues të BE-së të cilët po diskutojnë për këtë çështje.

“Disa prej tyre kanë komentuar drejtpërdrejt idenë e Albin Kurtit se duhet të vendoset masa e reciprocitetit pa e menduar dhe pa e ditur se çfarë do të thotë kjo. Synimi është që të shfuqizohet taksa pa kushte dhe të rifillohet dialogu”, theksoi Daçiq.

Theksojmë se Kosova dhe Serbia që nga viti 2018 pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake nga qeveria kosovare nuk janë ulur në tryezën e bisedimeve, proces ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat