Qendra Emergjente ka trajtuar 100 mijë raste në vitin 2019-të

Lajme

Qendra Emergjente ka trajtuar 100 mijë raste në vitin 2019-të

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 10:14
Basri Lenjani

Drejtori i Qendrës Emergjente Basri Lenjani, ka folur për punën e këtij institucioni të rëndësishëm shëndetësor.

Lenjani tha se kjo qendër ka mbi popullim të rasteve, duke trajtuar 100 mijë raste gjatë vitit 2019.

“Kemi mbi popullim të rasteve në Qendrën Emergjente, bazuar edhe në  normativin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për dy milionë banorë duhet të jenë diku 20 mijë raste, dhe 20 përqind e tyre duhet të jenë të natyrës emergjente. Në krahasim me vitet e kaluara kemi shënuar numër rekord të rasteve të trajtuara. I kemi pasur 100 mijë raste që i kemi trajtuar në 507 metra katrorë “- tha Lenjani.

Ai theksoi se shtimi i këtyre rasteve është si pasojë e mosrregullimit të sistemit të referimit.

“Ky mbi popullim i rasteve vjen si pasojë e mosrregullimit të sistemit të referimit të rasteve nga niveli parësor, dytësor por edhe tretësor i Klinikave apo Spitaleve regjionale të SHSKUK-së. Ne nuk kemi ndonjë rregullativ por Ligji për Shëndetësinë e përcakton se si duhet të rregullohet kjo. Shërbimi parësor duhet të shfrytëzoj të gjitha kapacitetet brenda që ka, dhe vetëm nëse ka ndonjë mungesë të shërbimeve për sëmundjet akute, mund t’i referoj në Qendrën Emergjente. Vetëm në regjionin e Prishtinës i kemi pasur 24 mijë raste të trajtuara. Të gjitha shërbimet tjera intensive kanë qenë të boshatisura dhe gjitha shërbimet janë kërkuar nga Qendra Emergjente e QKUK-së “- theksoi ai.

I pari i Qendrës Emergjente shtoi se institucioni që ai drejton trajton rastet që me të vërtetë që rrezikojnë jetën e tyre.

“Qendra Emergjente trajton zakonisht rastet e rënda që rrezikojnë jetën e njerëzve si: Sulmet në tru, në zemër, sëmundjet e tjera akute, gjendjet aksidentale. Shërbimet emergjente nuk janë gjenerues të të ardhurave, por janë shpenzues të mëdhenj. Qytetari duhet të dijë pesë parimet e shërbimeve emergjente:Profesionistët e shërbimeve emergjente duhet të ruajnë shëndetin, ta trajtojnë në vendin e ngjarjes, ta stabilizojnë, ta vendosin në barele dhe ta transportojnë me kujdes në spital. Ka pasur raste kur një pacient në gjendje të rëndë ka ardhur pa ndonjë ndihmë mjekësore paraprake dhe pa ndonjë protokollim. Tani kjo nuk mund të ndodh që të transportohet pa ndonjë mjek apo infermier deri në spitalin më të afërt “- shtoi ai.

Sipas Lenjanit sfidë për Qendrën Emergjente mbetet zgjerimi i kapaciteteve dhe krijimi i kuadrove për shërbimet emergjente.

“Sfidë për Qendrën Emergjente është zgjerimi i kapaciteteve. Ne e kemi proklamuar qysh moti këtë nevojë. Klinika e re është në ndërtim e sipër. Kjo Klinikë është nevojë strategjike. Sfidë është edhe sigurimi i kuadrit të mesëm, infermierëve. Në dhomat e reanimacionit i kemi nëntë shtretër, kërkojnë dy infermierë për një pacient. Ne nuk kemi qasje në konkurs për pranimin e punëtorëve. Sfidë është edhe krijimi i kuadrit autokton. Kemi kërkuar 57 specializime në mënyrë që ti kemi mjekët tanë, emergjent, kirurgjike-internistike, laboratori, në mënyrë që të kemi shërbime sa më të mira “

“Emergjenca është projekt nacional. Shpresoj që ministri i ri do të reflektojë që të përshpejtoi dinamikën e punëve. Ne kemi planifikuar që të behët ndarja fizike e objektit e sëmundjeve akute nga ato të traumave aksidentale. Duhet të kemi angazhim të përbashkët në këtë projekt. Shqetësim është edhe largimi i kuadrove. Pothuajse secilin nga mjekët e rinj i sheh duke mësuar gjuhen gjermane.  Duhet të ndalim ikjen e tyre. Duhet të krijojmë vende të reja të punës për këta, sepse kështu do të mbesim pa mjekë dhe pa infermierë, duke i dhënë Gjermanisë dhe vendeve tjera kuadrat të përgatitur pa asnjë shpenzim “- tha Lenjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat