A do ta pranojë vendimin për shkarkim kryeshefi i “Trepçës”?

Lajme

A do ta pranojë vendimin për shkarkim kryeshefi i “Trepçës”?

Më: 6 mars 2020 Në ora: 13:58
Basri Ibrahimi

Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi, sot pritet të përballet me një vendim jo shumë të këndshëm për të.

Qeveria në mbledhjen që do të mbahet pas pak, pritet të shqyrtoj themelimin e një bordi të përkohshëm i cili do të bënte ndër të tjera edhe shkarkimin e menaxhmetit të kësaj ndërmarrje.

Kjo pasi që kishte pasur akuza të shumta se konkursi i fundit në këtë ndërmarrje ishte shoqëruar me shkelje ligjore. Përkundër kësaj, Ibrahimi në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se gjatë kohës sa ishte në krye të kësaj ndërmarrje ka arritur të rrisë prodhimin për 35 për qind dhe pas një performace të tillë nuk pret që Qeveria të marrë vendim për largimin e tij.

Madje ai thotë se në lidhje me konkursin e shumë përfolur nuk kanë pasur asnjë ankesë as nga Inspektorati i Punës e as nga ndonjë organ tjetër kompetent.

“Jo nuk kam marrë asnjë informatë, dhe nuk di se si përmes fushatave publike dhe nga njerëz jo kompetent me u shkarkua kryeshefi ekzekutiv ose menaxhmeti. Unë këtë vetëm nëpër medie e kam pa. Çështja e parë unë pres që menaxhmeti i Trepçës me u falënderua dhe me u mbështet për shkak të rezultateve të punës që ne i kemi. Ne kemi arrit që ashtu siç e kam deklaruar prej fillim, deri në fund të vitit të rritim prodhimin. Kemi rritë prodhimin në mbi 35 për qind, kjo është performaca dhe në bazën e kësaj duhet të ndërmerren vendimeve çfarë do qofshin ato”, tha Ibrahimi për IndeksOnline.

Mirëpo sikur edhe kjo të ndodh, ai nuk shprehet i gatshëm të lërë pozitën e kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”, duke thënë se nuk do të pranonte një vendim të tillë të qeverisë, e cila tashmë po hynë në muajin e dytë të funksionimit.

“Nuk e pranoj asnjë vendim i cili nuk ka bazë ligjore. Natyrisht, gjë që unë dyshoj se Qeveria do të marrë këso vendimi, sepse unë besoj Qeveria duhet t’i bazoj vendimet e veta në akte ligjore, por nëse eventualisht do të ndodhte kjo, atëherë ne do t’i shohim masat ligjore. Natyrisht unë nuk do të dal me protestuar në rrugë, por do i ndjek rrugët ligjore”, theksoi Ibrahimi.

Ai tutje tha se mirëkupton hallet e njerëzve të cilët presin për një vend pune, mirëpo për protestuesit theksoi se janë grupe kriminale, e të cilat janë të njohura mirë edhe për organet e rendit.

“Ne e mirëkuptojmë hallin e njerëzve, jo të këtyre protestuesve, sepse këta janë grupe kriminale dhe janë shumë mirë të njohura në Mitrovicë, është shumë mirë e njoftuar edhe policia, le të shkojnë e le t’i marrin dosjet për ta. Le të shkojnë dhe të shohin se këto janë iniciativa politike të Shalës, të cilat kanë prentenduar edhe në të kaluarën me vendos se çfarë të bëhet në Trepçë. Ne këto i kemi stopuar”, tha Ibrahimi.

Ndryshe gjatë ditës IndeksOnline ka marrë një prononcim nga Arsim Musa, që përfaqëson këshillin protestues të rreth 200 personave, e i cili ka bërë të ditur se kanë ndalur protestën pasi kanë marrë lajmin se do të formohet një bord i përkohshëm nga ana e Qeverisë, i cili do të bëj shkarkimin e menaxhmentit aktual, e që kjo ishte njëra ndër kërkesat e tyre. Ai ka bërë të ditur se nga ky vendim i Qeverisë nuk do të prekën 40 fëmijët e minatorëve të “Trepçës”, të cilët të frikësuar se anulimi i konkursit do t’i prekte edhe ata, po ashtu kishin hyrë në grevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat