Si ta zvogëloni ankthin nga koronavirusi?

Lajme

Si ta zvogëloni ankthin nga koronavirusi?

Më: 13 mars 2020 Në ora: 10:57
Foto

Në një kohë kur koronavirusi po vijon të përhapet, ankthi dhe shqetësimi kanë pushtuar shumë njerëz.

Për t’i minimizuar ato, “Business Insider” rekomandon disa hapa të thjeshtë dhe praktikë.

 

Toleroni paparashikueshmërinë

Jeta është e paparashikueshme dhe e pasigurt. Ju nuk e dini ç’ju pret nesër apo pas një viti dhe s’keni asnjë kontroll mbi të. E njëjta gjë edhe tani që qarkullon një virus i panjohur. Bëj ç’të mundesh për të ruajtur veten dhe të tjerët, por pjesa tjetër nuk është në dorën tuaj.

 

Mos i rezistoni ankthit

Është vërtetuar me dhjetëra herë, kur i rezistoni ankthit thjesht e shtoni atë. Gjatë këtyre ditëve mos u ktheni nga Netflix, alkooli apo lajmet për t’u qetësuar. Pranojeni situatën, lejojeni veten të ndjeni dhe të përjetoni me sinqeritet. Nuk mund t’i arratiseni të vërtetës, por as nuk keni pse fiksoheni pas saj.

 

Suspendoni ankthin nga vdekja

Koronavirusi zgjon frikën universale: frikën nga vdekja. Kur përballemi me prova të vdekshmërisë, ne mbytemi në ankth dhe fokusohemi pambarimisht në çdo simptomë. Përpiquni të lidheni me kuptimin e jetës suaj dhe merrni mbi vete përgjegjësinë për mënyrën si jetoni. Akoma më mirë do të ishte të nisni e të bëni diçka që e keni shmangur prej vitesh.

 

Mos e nënvlerësoni forcën tuaj

Natyrisht do të pyesni veten ç’do të bëni mbyllur në shtëpi, pa punë e pa rrogë. Por, kini parasysh se po imagjinoni skenarin më të keq të mundshëm dhe studimet kanë vërtetuar se njerëzit e ekzagjerojnë goxha. Do t’ia dilni shumë mirë, jeni më të fortë nga ç’mendoni.

 

Kujdesuni për veten

Sidomos në ditë të tilla duhet të hani dhe flini mjaftueshëm, të ushtroni rregullisht dhe të praktikoni teknika meditimi.

 

Lexoni pak lajme

Për të pakësuar ankthin, kushtojini vetëm 30 minuta në ditë leximit të lajmeve dhe përzgjidhni vetëm informacionet e besueshme. Mos krijoni qëndrime nga lajmet e paverifikuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat