'Unë jetoj në vendin më të sigurt në botë nga koronavirusi!'

Lajme

'Unë jetoj në vendin më të sigurt në botë nga koronavirusi!'

Më: 23 mars 2020 Në ora: 12:31
Mauro Morandi, është banori i vetëm i një ishulli përrallor në Detin Mesdhe.

Për më shumë se 30 vjet, Mauro Morandi, është banori i vetëm i një ishulli përrallor në Detin Mesdhe. Nëse për shumicën nga ne, situata e qëndrimit në shtëpi është stresuese, për 81-vjeçarin kjo është jeta e tij normale.

Morandi, një ish-mësues, mbërriti rastësisht në ishullin Budelli, në brigjet e Sardenjës, ndërsa u përpoq të lundronte nga Italia në Polinezia, 31 vjet më parë.

Ai ra në dashuri me ujërat e kristalta të ishullit, rërën e pastër, perëndimin magjepsës të diellit dhe vendosi të qëndrojë. Menjëherë pasi zbarkoi më 1989-ën, zbuloi që kujdestari i ishullit po dilte në pension. Varka e shkatërruar e Morandit ishte pasqyrim i gjendjes së tij fizike, mendore dhe emocionale në atë kohë. Kështu që vendosi të ndryshojë jetën dhe të pranojë postin e punës. Ishulli Budelli, një copë e vogël toke mes Sardenjës dhe Korsikës, është një nga më të bukurit e 7 ishujve që formojnë Parkun Kombëtar të Arkipelagut Madalena. Vetëm pak turistë shkojnë e vijnë në zona të caktuara të ishullit Budelli, kështu që në pjesën më të madhe të vitit, Morandi jeton vetëm.

Image

Në botën e tij të vetmuar, ai thotë se jeton në “vendin më të sigurt në Tokë”, teksa bota është e përfshirë nga pandemia e koronavirusit, i cili ka izoluar miliona njerëz brenda shtëpive të tyre.  Për këtë, Morandi ka edhe disa këshilla se si të përballohet izolimi.

“Jam mirë dhe nuk kam aspak frikë”, u shpreh ai për CNN Travel, përmes telefonit celular, i cili është lidhja e tij me botën e jashtme. “Ndihem i sigurt këtu. Ky ishull ofron mbrojtje totale. Nuk ka asnjë rrezik. Këtu nuk vjen askush, nuk sheh asnjë varkë të vetme duke lundruar”.

Si shumë prej nesh, shqetësimi kryesor i Morandi është për familjen e tij, e cila jeton në Modena, në veri të Italisë, një nga zonat më të goditura nga koronavirusi. “Ata po përballen me një periudhë mjaft të vështirë”, thotë ai.

Image

Që prej shpërthimit të koronavirusit në Itali, pak gjëra kanë ndryshuar për Morandin edhe pse jeta e pjesës më të madhe të botës nuk është më e njëjtë. Atij vetëm i duhet të presë pak më shumë për ushqimet që i sjellin njerëzit nga kontinenti për shkak të kufizimeve të ashpra të vendosura nga qeveria.

I vetëm në ishull, Morandi e kalon ditën duke admiruar detin, duke thithur ajrin e pastër, duke mbledhur dru, duke gatuar dhe duke… postuar në Instagram! “Unë e kaloj kohën duke bërë foto më breg të detit, kafshëve të egra dhe peizazhit dhe më pas i postoi ato në Instagram”, thotë. “Unë kam shumë ndjekës”, shprehet Morandi.

81-vjeçari ka edhe disa këshilla për të gjithë ata që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në këto ditë të vështira të pandemisë. Ai thotë se disa javë të izoluar në shtëpi, nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Përkundrazi, Morandi thekson se këtë kohë mund ta shohin si një mundësi për të njohur më shumë vetveten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat