Edhe “Trafiku Urban” goditet nga kriza e pandemisë, komuna do t’ua kompensojë pagat punëtorëve

Lajme

Edhe “Trafiku Urban” goditet nga kriza e pandemisë, komuna do t’ua kompensojë pagat punëtorëve

Më: 7 maj 2020 Në ora: 23:40
Foto Ilustrim

Edhe ndërmarrja e “Trafiku Urban” në Prishtinë është goditur nga situata e krijuar me pandeminë e  koronavirusit.

Pas ndërprerjes së transportit publik, gjatë muajit prill, kjo kompani nuk ka pasur fare të hyra.

Kështu ka thënë për lajmi.net kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhepaj.

Mirëpo, ai thotë se rreth 370 punëtor të kësaj ndërmarrje pritet që të kompensohen nga komuna e Prishtinës për pagat e muajit prill, të cilat nuk i kanë marrë akoma.

Ai thotë se obligimet e domosdoshme në vlera numerike i kanë paraqitur për kompensim tek Komuna e Prishtinës.

“Edhe ndërmarrja jonë është goditur nga situata e krijuar nga kjo pandemi. Gjatë muajit mars 2020 reduktimet e transportit publik kanë filluar nga gjysma e marsit dhe muajin e kemi përmbyllur me operime te reduktuara sipas masave te ndërmarra nga Qeveria për reduktim të lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve. Ndërsa gjatë muajit prill, meqë transporti publik ishte ndërpre plotësisht, nuk kemi fare të hyra, andaj obligimet e domosdoshme në vlera numerike i kemi paraqitur për kompensim tek Komuna”, tha ai.

Rexhepaj thotë se janë në pritje te ekzekutimit të pagave për muajin prill.

“Jemi në pritje të kompensimit nga Komuna e Prishtinës. Duke pasur parasysh së Kryetari i Komunës z. Shpend Ahmeti ishte nder të parët që doli me iniciativë për kompensim të ndërmarrjeve dhe bizneseve, ne shpresojmë se sapo të jetë mundësia, do të realizohet kompensimi nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë Rexhepaj.

Kjo ndërmarrje ka edhe një kredi të cilën duhet që t’ia paguaj BERZH-it, e për këtë Rexhepaj thotë se shpreson që do të marrin mbështetje nga komuna e Prishtinës. Edhe pse këstin nuk do ta paguajnë deri në muajin korrik.

“Kesti i radhës për BERZH është në muajin korrik 2020 dhe jemi të bindur se do të mbështetemi nga Komuna e Prishtinës edhe për pagesën e kredisë”, thotë ai.

Ai po ashtu ka falënderuar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin për mbështetjen që i ka dhënë kësaj ndërmarrje dhe punëtorëve.

“Pas deklarimit publik të Kryetari  Shpend Ahmeti se nga Komuna do të paguhen pagat e punëtoreve të ndërmarrjeve komunale që u është ndërprerë puna, 370 punëtorët e Trafikut Urban janë ndier më të relaksuar gjatë kësaj situate dhe se bashku me familjet e tyre shprehin falënderim ndaj kryetarit z. Shpend Ahmeti për gatishmërie e tij që të gjendet afër punëtorëve të ndërmarrjes sonë dhe në përgjithësi ndaj të gjithë qytetarëve te Komunës së Prishtinës”, ka thënë në fund.

Ndryshe, me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lehtësimin e masave, pritet që në fazën e dytë, që fillin nga 18 maji, të nis punën transporti urban dhe ndër-urban. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat