Kërkesa e mjekëve për t’i dalë në ndihmë Luginës së Preshevës, në vesh të shurdhër

Lajme

Kërkesa e mjekëve për t’i dalë në ndihmë Luginës së Preshevës, në vesh të shurdhër

Më: 21 maj 2020 Në ora: 23:13
Foto Ilustrim

Mbi 200 mjekë kosovarë janë në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Kosovës për të shkuar në Luginë të Preshevës dhe për t’i ndihmuar shqiptarët gjatë kohës së pandemisë.

Duke e parë situatën me koronavirus në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, përkatësisht mungesën e trajtimit shëndetësor nga shteti serb si dhe ardhjen e mjekëve serbë në Kosovë që të monitoronin situatën me COVID-19 në pjesën veriore të vendit dhe qytetet e tjera ku ka serbë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), më 13 maj të këtij viti i ka dorëzuar kërkesë Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që t’ua mundësojë shkuarjen e 200 mjekëve kosovarë në Luginë të Preshevës.

Në kërkesën drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjfuca, FSSHK-ja kishte kërkuar që kjo çështje të mos politizohet, pasi qëllimi i vetëm i këtyre vizitave do të ishte solidarizimi dhe humaniteti i organizimit sindikal për qytetarët-pacientë potencialë në Luginë të Preshevës.

Mirëpo edhe pse janë bërë tetë ditë që nga kjo kërkesë, FSSHK-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se deri më tani askush nuk e ka marrë mundin që t’ua jap ndonjë përgjigje, përderisa siç u shpreh ai, për moslejimin e hyrjes së disa mjekëve serbë në Kosovë kanë reaguar edhe një pjesë e shteteve të QUINT-it.

Syla ka bërë të ditur se kjo është një qasje jo serioze dhe e pakuptueshme e institucioneve kosovare.

“Kërkesën e kemi bërë te kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Punëve të Jashtme, asnjë përgjigje deri më tani nuk kemi nga ata. Askush nuk e ka marrë mundin me na u përgjigj pavarësisht se disa prej shteteve të QUNIT-it po reagojnë për mjekët të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, për mjekët serbë është fjala. Mirëpo sa për ne, askush nuk do me dëgjua, por kur nuk dëshiron me dëgjua kryeministri, ministri i Shëndetësisë e asi i Punëve të Jashtme, s’ka kush edhe reagon. Kështu që definitivisht është jo serioze dhe një qasje për mua shumë e pakuptueshme”, theksoi Syla.

Tutje Syla ka bërë të ditur se përsëri do të provojnë që të mblidhen dhe ta diskutojnë këtë çështje për të bërë edhe një kërkesë tjetër mirëpo, siç theksoi ai, qeveria nuk është e interesuar që të dërgojë mjekët kosovarë në Luginë të Preshevës dhe t’u dalë në ndihmë shqiptarëve atje.

“Ne nuk kemi adresë tjetër përveç këtyre dhe do të provojmë edhe një herë dhe do të mblidhemi edhe një herë si kryesi dhe do të mblidhemi me faktorët e tjerë relevant, mirëpo si duket nuk po i intereson qeverisë aktuale që të merret me këtë çështje. Dhe kjo është tejet zhgënjyese duke e parë nevojën e kërkesave nga ana e banorëve atje”, u shpreh Syla.

Media gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka pyetur se çfarë ka ndodhur me kërkesën e mjekëve dhe pse akoma nuk iu është kthyer asnjë përgjigje, mirëpo nga këto dy dikastere nuk kanë kthyer asnjë përgjigje 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat