Odat mirëpresin nismën për themelimin e gjykatës komerciale

Lajme

Odat mirëpresin nismën për themelimin e gjykatës komerciale

Më: 25 maj 2020 Në ora: 20:04
Foto Ilustrim

Ndonëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës ekziston Departamenti Ekonomik dhe ai Administrativ, Ministria e Drejtësisë ka nisur përgatitjet ligjore për themelimin e një gjykate komerciale.

Ky dikaster ka nisur formimin e një grupi punues për hartimin e projektligjit që pritet të finalizohet në shtator.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, sistemi i tanishëm ngadalëson zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe pengon cilësinë dhe konsistencën e vendimeve të marra nga dy departamentet.

“Komuniteti i bizneseve të Kosovës dhe investitorët ndërkombëtarë nuk kanë një adresë të vetme për zgjidhjen e kontesteve gjyqësore. Mandatet e paqarta dhe juridiksioni i Departamentit Ekonomik dhe Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore të Prishtinës i detyrojnë shumë biznese të fragmentojnë rastin e tyre në departamente të ndryshme që të trajtojnë çështje të ndryshme të të njëjtit rast. Në bashkërendim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, hapi i ardhshëm është themelimi i një grupi punues që deri në shtator ta finalizojë dhe t’i përfundojë konsultimet për projektligjin, bazuar në koncept-dokumentin e miratuar”, thuhet në një letër të Ministrisë së Drejtësisë.

Oda Ekonomike Amerikane dhe ajo e Kosovës funksionalizimin e një gjykate të tillë e shohin si hap të duhur në ngritjen e sigurisë juridike të të bërit biznes.

Arian Zeka thotë se roli i gjykatës komerciale është më i rëndësishëm pasi ajo do të shqyrtojë edhe rastet ndërkomerciale, e ku deri më tash janë shqyrtuar vetëm ato të natyrës fiskale.

Funksionalizimi i një gjykate të tillë, sipas ekonomistëve, do të rriste edhe sigurinë e investitorëve të huaj potencialë në Kosovë.

Ndërkohë për të funksionalizuar Gjykatën Komerciale, Ministria e Drejtësisë ka fituar mbështetjen e Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat