Historia e 9 kryeministrave të Kosovës, nga Hashim Thaçi te Avdullah Hoti

Lajme

Historia e 9 kryeministrave të Kosovës, nga Hashim Thaçi te Avdullah Hoti

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 23:18
Historia e 9 kryeministrave të Kosovës, nga Hashim Thaçi te Avdullah Hoti

Dy shtete, dy qeveri dhe dy histori të kryeministrave. E gjithë historia e kombit shqiptar i ngjan dy kokave të shqiponjës të stampuar në flamur. Ndërsa në 108 vite të shtetit të Shqipërisë janë 33 kryeministra, në historinë e shtetit të Kosovës që nga çlirimi më 2 prill 1999 e deri më sot, pra në 21 vjet, janë 9 kryeministra. Një histori që pothuajse ngjan si pikat e ujit në të dy shtetet shqiptare. Nëse hedhim një vështrim në 21 vitet e para të shtetit  të Shqipërisë si janë pothuajse i njëjti numër kryeministrash, e njëjta mënyrë largimi dhe e njëjta mënyrë emërimi, rrëzimi dhe krizash politike. Një cilësi që nuk na është ndarë ne shqiptarëve në shtetin e Shqipërisë amë por edhe në shtetin e ri të Kosovës. Po cilët janë këta kryeministra? Sa kanë qëndruar në detyrë dhe për çfarë mbahen mend? Më poshtë po japim në formë të përmbledhur listën e tyre por edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve

1.HASHIM THAÇI (2 prill 1999-1 shkurt 2000) (9 JANAR 2008-17 SHKURT 2008) (17 shkurt 2008-9 dhjetor 2014)

Hashim Thaçi është njëlloj Ismail Qemali në historinë e kryeministrave të Kosovës. Tre herë në detyrën e shefit te qeverisë, më shumë nuk ka rëndësi shifra por momenti kur ai ka qenë në detyrën e lartë. E deshi vetëm fati apo jo, ish-komandant  i UÇK-së ka të drejtë të mburret se është ai kryeministri i parë në Kosovën e çliruar në vitin 1999. Thaçi spikati në marrëveshjen e Rambujes në 1999 dhe si politikan është zbulim i sekretares së Shtetit të asaj kohe. Madaleine Allbright. Fati e deshi edhe më shumë kur Hashim Thaçi ishte kryeministër edhe ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008. Thaçi ishte kryeministër edhe nga 17 shkurti 2008 deri në 9 dhjetor 2014. Ishte firma e tij në proklamatën e atij këtij që tashmë i përket historisë. Se si u fut në histori se si u bë kryeministër dhe se si e arriti këtë, kjo pak rëndësi do ketë pas shumë vitesh. Ndonëse për disa sot nuk tingëllon mirë ndërsa për kundërshtarët është shumë e rëndë, por në një farë mënyrë Hashim Thaçin e ka thirrur historia. Është shumë herët të bëjmë vlerësime për atë që ka bërë ai për Kosovën, por faktet janë fakte dhe askush nuk mund ti kundërshtojë.

2.BAJRAM REXHEPI (4 mars 2002-3 dhjetor 2004)

Kryeministri i dytë i shtetit të Kosovës ishte mjeku Bajram Rexhepi. Si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës ai qëndroi në detyrën e kryeministrit nga 4 marsi 2002 deri më 3 dhjetor 2004. Ndonëse me një profil jo shumë të lartë politik, Rexhepi do mbahet mend si një politikan i matur dhe që nuk shkaktoi tensione në politikë. Më parë ai kishte qenë ministër i Brendshëm dhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, qytetit ku ai kishte lindur. Bajram Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017.

3.RAMUSH HARADINAJ (3 DHJETOR 2004-8 MARS 2005) (9 shtator 2017-3 shkurt 2020)

Dy herë kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj do mbahet mend më shumë për tre proceset gjyqësore në Hagë se sa për punët që ka bërë si shef i qeverisë. Një komandant legjendë i UÇK dhe me disa dëshmorë në familje, Haradinaj ka qenë dhe mbetet simboli i politikanit shqiptar që luftoi me armë në dorë për çlirimin e Kosovës por që u bë edhe kryeministër. Herën e parë ai qëndroi në detyrë 100 ditë si kryeministër. Herën e dytë qëndroi kryeministër nga 9 shtatori 2019 deri më 3 shkurt 2020. Kur mendohej se nuk kishte probleme me drejtësinë dhe proceset pasi mori pafajësinë, më 5 janar 2017 ai u arrestua në Francë i kërkuar nga drejtësia serbe për krime gjatë luftës së vitit 1999 por falë presionit të drejtë ndërkombëtar ai u lirua. Ndërkohë dorëheqja e Haradinajt më 3 shkurt 2020 lidhej me kundërshtinë e tij të fortë për të hequr taksën ndaj mallrave serbe por edhe për një ide të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës për të cilën ai akuzoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.

4.ADEM SALIHAJ (8 MARS 2005-25 MARS 2005)

Nënshkrues i Proklamatës së Pavarësisë, Adem Salihaj është kryeministri më jetëshkurtër në historinë e Kosovës së çliruar. Me 20 ditë në detyrë ai në fakt ka qenë kryeministër provizor pas largimit nga detyra të Rramush Haradinajt. Salihaj njihet në Kosovë si një gazetar me përvojë të gjatë në gazetën “Bota e re” dhe Radio Televizionin e Prishtinës.

5.BAJRAM KOSUMI (25 MARS 2005-10 MARS 2006)

Bajram Kosumi nuk arriti të mbushë plotësisht 1 vit ose 12 muaj në detyrën e kryeministrit të Kosovës. Ai e mori detyrën më 25 mars 2005 dhe e la atë në 10 mars 2006. Është pasardhës në detyrë i Adem Salihajt. Përfaqësues si Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bajram Kosumi ka qenë mbështetës UÇK por jo pjesëmarrës në të.

6.AGIM ÇEKU (10 MARS 2006-9 JANAR 2008)

Ka shumë arsye që Agim Çejku të mburret në jetën dhe karrierën e vet dhe atë që ka bërë për Kosovën. Një gjeneral lufte në Kroaci dhe në Kosovë, ai u bë kryeministër më 10 mars 2006. Qëndroi në detyrë për afro 2 vjet. Përpara se të ishte kryeministër ai ishte ministër i forcës së Sigurisë së qeverisë së Kosovës. Çeku ka marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kroacisë. Dhe në vitin 1998-1999 ai drejtoi disa reparte të UÇK-së në luftë kundër ushtrisë serbe. Edhe Agim Çeku nuk i shpëtoi strategjisë serbe për tu akuzuar për krime, gjatë luftës, madje në vitin 2009 ai u arrestua në Bullgari por këto akuza asnjëherë nuk janë provuar.

7.ISA MUSTAFA (9 dhjetor 2014-9 shtator 2017)

Pasardhësi i Ibrahim Rugovës Isa Mustafa asnjëherë nuk iu afrua stafit të tij. Profesori i universitetit të Prishtinës ka qëndruar për rreth tre vjet kryeministër nga 9 dhjetori 2014 deri në 9 shtator 2017. Ai është kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në cilësinë kësaj detyrë u bë edhe kryeministër dhe president. Duhet theksuar se qeveria e tij ka qenë e dominuar nga një konfliktualitet dhe mungesë produktiviteti.

8.ALBIN KURTI (3 shkurt 2020-3 qershor 2020)

Kosova as ka patur dhe as nuk do të ketë një kryeministër idealist si Albin Kurti. Vetëm 4 muaj në detyrën e shefit të qeverisë Kurti as nuk shijoi karrigen e as nuk arriti të bëjë qoftë një gjë të vogël si kryeministër. Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosja” dhe një politikan që në opozitë theu shumë tabu dhe rregulla të politikës së vjetër, ai nuk arriti në detyrë të bëjë gjë. Dështoi për shkak të mbështetjes së vogël në vota në parlament, por ndoshta për tu rikthyer një ditë më i fortë. Të shohim. Edhe Fan Noli ishte idealisti pandreqshëm që kërkonte të bënte Shqipërinë, por dështoi pas 6 muajsh iku nga sytë këmbët andej nga erdhi. Nuk e dimë se Kurti është një Fan Nol i dështuar.

9.AVDULLAH HOTI (4 qershor 2020 e në vijim)

Sot Avdullah Hoti sot merr detyrën si kryeministri i 9-të në historinë e Kosovës, i urojmë thjeshtë suksese në detyrën e tij të vështirë. Të vështirë se është e qartë që është e brishtë por që edhe në këto kushte mund të arrijë të bëjë diçka të mirë për Kosovën.

LISTA E KRYEMINISTRAVE TË KOSOVËS QË NGA ÇLIRIMI E DERI MË SOT

HASHIM THAÇI (2 prill 1999-1 shkurt 2000) (9 janar 2008-17 shkurt 2008)(17 shkurt 2008-9 dhjetor 2014)

BAJRAM REXHEPI (4 mars 2002-3 dhjetor 2004)

RRAMUSH HARADINAJ (3 dhjetor 2004-8 mars 2005) (9 shtator 2017-3 shkurt 2020)

ADEM SALIAJ (8 mars 2005- 25 mars 2005)

BAJRAM KOSUMI (25 mars 2005-10 mars 2006)

AGIM ÇEKU (10 mars 2006-9 janar 2008)

ISA MUSTAFA (9 dhjetor 2014-9 shtator 2017)

ALBIN KURTI (3 shkurt 2020-3 qershor 2020)

AVDULLAH HOTI (4 qershor 2020 e në vijim)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat