Këngëtarë e pronarë restorantesh protestojnë, kërkojnë lejen për dasma

Lajme

Këngëtarë e pronarë restorantesh protestojnë, kërkojnë lejen për dasma

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 13:51
Këngëtarë e pronarë restorantesh protestojnë, kërkojnë lejen për dasma

Me dhjetëra pronarë të restoranteve e këngëtarë kanë protestuar sot para objektit të qeverisë, të njëjtit kanë kërkuar mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve të tjera. Sipas tyre këta po diskriminohen nga institucionet e vendit, meqë siç thonë ata veprimtari të tjera, e tubime në shesh janë lejuar gjatë këtyre ditëve. Ata kanë pasur ankesa që janë goditur shumë gjatë këtyre ditëve. E, për dikë korona virusi është gënjeshtër, dhe moslejimi i mbajtjes së dasmave po bëhet për të diskriminuar ata.

Me fillim të grumbullimit të protestuesve, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga këta të fundit që të shpërndahen, dhe të mbajnë një takim në ora 12:00.

Zemaj: Ejani në ministri bisedojmë, mos rrezikoni shëndetin e njëri-tjetrit

“Ju kisha lut të mos rrezikoni shëndetin e njëri-tjetrit. Zgjidhni 10 përfaqësues ejani në ministri bisedojmë sa të doni”, ju tha Zemaj protestuesve.

Megjithatë, përfaqësues të komunitetit artistik dhe pronarë të restoranteve kanë qëndruar për më shumë se një orë para objektit të qeverisë.

Këngëtari Afrim Muçiqi tha se po dëmtohen shumë gjatë kësaj kohe, dhe se po diskriminohen nga qeveria. Pasi sipas tij, në sheshe po mbahen tubime dhe shumë veprimtari të tjera kanë vazhduar punën.

Muçiqi: Është dëm i madh që iu është bërë estradës

“ Është një dëm i madh i cili ju ka bërë edhe estradës, edhe gastronomisë por edhe ekonomisë së Kosovës. Sepse edhe ne duhet të punojmë si të gjithë të tjerët. Dhe kërkesat tona janë shumë të qarta. Ose duhet të punojnë të gjithë, ose mos të punojë asnjëri, sepse kur ka mundësi që të mbulohen sheshet me njerëz, kur ka mundësi që të punojnë shumë sektore të tjera. Atëherë duhet të punojë edhe sektori ynë sepse përfshin shumë biznese duke filluar nga sektori i bujqësisë, pastaj gastrononimia në përgjithësi, estrada në përgjithësi, bukëpjekësit, dekoret. Për mbi 30 mijë biznese që operojnë në Kosovë janë të prekura”, tha Muçiqi.

Ai bëri të ditur se në rast se nuk do të merret ndonjë vendim që të lejohet mbajtja e ahengjeve, ata do të detyrohen të organizojnë ato në shesh apo livadhe.

Muçiqi: Do t’i mbajmë në shesh e livadh

“Në qoftë se nuk mbahen edhe ne do t’i mbajmë në shesh apo livadhe”, shtoi ai.

Sipas tij, mundësia e infektimit në dasma është shumë më e vogël se tubimet tjera.

Ndërsa, për ish-deputetin Labinot Tahiri pandemia Covid-19 është një ‘gënjeshtër’, në rast se do të infektohet dikush, Tahiri tha se do të shkojë në burg.

Tahiri: Virusi është rrenë

“Virusi është rrenë. Ja kishim vdek na artistat që kemi të bëjmë me shumë publik, ja askush, por kjo është rrenë. Mu të më qojnë në burg, edhe ty edhe krejt estradën, por kjo është rrenë. Kjo bëhet vetëm me diskriminua kishe me na i ul atë modestinë dhe krenarinë që na i ka dhënë Zoti dhe populli. Shteti nuk ka bërë asgjë për neve, kurrë. As për Nexhmije Pagarushën, këtu jemi ne është dashur të jetë busti, një shenjë për yllin tonë shqiptar, por kur vdiq filluan me lot krokodili”, deklaroi Tahiri.

Po ashtu edhe këngëtari Edi Furra shprehu pakënaqësitë e tij për moslejimin e mbajtjes së dasmave. Sipas tij, nga viti 2002 kanë qenë të rregullt në pagesën e tatimeve.

Furra: Jemi tatimpagues të rregullt ndaj shtetit

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, veç se me na lënë me punu. Besoj që shtetit ia kemi kryerë gjitha obligimet me rregull, nuk kemi pasur asnjë problem që nga viti 2002 kur është bërë ftesa e parë e ATK-së edhe prej atëherë deri më tani jemi tatim-pagues të rregulltë”, u shpreh Furra.

Me dasma e ahengje, këngëtari Alban Mehmeti tha se mbajnë familjet e tyre. Por, që një gjë e tillë ai tha se po u pamundësohet me vendimet e qeverisë.

Mehmeti: Pse mos të punojmë edhe ne

“Duke parë që shumica e bizneseve të tjera kanë filluar edhe tubime jo të vogla, edhe pse mos me punua edhe ne… Mendoj që sa do që vonohet edhe Ministria e Shëndetësisë për një vendim të mbajtjet së tyre, do të jetë shumë vonë nga dita në ditë”, është shprehur Mehmeti.

Edhe këngëtarja Edona Llalloshi tha se derisa shumë biznese kanë filluar punën në Kosovë, atëherë duhet që edhe komuniteti artistik e restaurantet të hapen.

Llalloshi: Secili vendim që merret unë do ta respektoj 

“Nëse ekziston mundësia në mënyrë urgjente të merret një vendim i tillë, nëse ka mundësi të krijohen kushte për mbajtjen e dasmave. Kështu që secili vendim të merret unë do ta respektoj. Kjo do të jetë hera ime e parë dhe e fundit që do të dal të protestoj”, ka theksuar Llalloshi.

Përfaqësues të komunitetit artistik në orën 12:00 kanë mbajtur takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.Mirëpo, deri më tani institucionet nuk kanë marrë ende vendim për lejimin e këtyre organizimeve, si masë mbrojtëse për mospërhapjen e pandemisë./Sh.Pajaziti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat